Thursday, April 25, 2024

Kallmeti

KALLMETI

Me datë 14.10.1995 u hap bashkësia  e Motrave Françeskane të Zojës së Papërlyer  në Kallmet. Në fillim bashkësia u hap si një shtëpi formimi për motrat e reja. Motrat u morën me shërbime në fshatrat Kallmet, Rraboshtë dhe Mërqi, si dhe nxitën veprimtari vullnetare bamirësie . Filluan menjëherë veprimtarinë e tyre me katekizëm, zhvilluan kurse për kuzhinë, bënë vizita tek të sëmurët dhe tek të vetmuarit dhe formuan korin e fëmijëve. Shpejt disa vajza nga kjo famulli shprehën dëshirën për jetë rregulltare  dhe hynë në kongregatën tonë. Në vitin 1995- 1997 u bë ndërtimi i qendrës së fëmijëve “Shën Eufemia” nën drejtimin e famullitarit don Dodë Gjergji. Objekti u financua nga familja “Kolping” Weilheim- Gjermani. Kjo do të shfrytëzohej në ndihmë të fëmijëve të Kallmetit si kopsht fëmijësh dhe si mensë për fëmijët e varfër dhe jetimë. Më 4.10.1998 u hap kopshti i fëmijëve me dy grupe falë ndihmës së Z. Konrad Krach, i cili është një bamirës nga Zvicra që ka themeluar shoqatën “PRO KALLMET”  dhe ka realizuar shumë projekte bamirësie në famullinë e Kallmetit dhe ndihmon akoma fëmijët e shkollës sonë për familjet që nuk kanë mundësi për tarifat shkollore si dhe dhënien e ushqimit falas për fëmijët e shkollës dhe të kopshtit. Më 26.08.2000 bëhet bekimi i gurthemelit të shtëpisë së motrave në Kallmet. Më 5.09.2000 fillon funksionimi  i shkollës fillore ”Shën Eufemia” hapet klasa e parë dhe pastaj vijnë duke u shtuar çdo vit nga një klasë e re. Fëmijët qëndrojnë në shkollë deri në orën 3 pasdite, ku përgatitin mësimet për të nesërmen. Motrat përkushtohen me  disa fëmijë që kanë vështirësi në të mësuar duke u ndihmuar në detyrat e shtëpisë dhe  kurse në pikturë, muzikë e punëdore . Më 28.08.2001  bëhet transferimi i shtëpisë së formimit të motrave (noviciati) nga Kallmeti për në Hot të Ri. Më 17.09.2002 fillon funksionimi i shkollës së re të ndërtuar nga Kindermissionszverk  me tri klasa (viti i tretë i funksionimit të shkollës ). Më  24.3.2003 hyjmë në shtëpinë e re të ndërtuar falë ndihmës së  motrave nga shtëpia gjenerale. Aktivitetet në famulli: Çdo vit në famullinë tonë motrat kanë përgatitur fëmijët dhe të rinjtë në formimin shpirtëror dhe në marrjen e sakramenteve,   adhurim e lutje, vizita tek të sëmurët. Çdo vit famullia organizon kampe verore me fëmijët dhe të rinjtë si dhe me ministranta ku motrat  bashkëorganizojnë e janë në gatishmëri për çdo nevojë që paraqitet.  Motrat gjithashtu janë një mbështetje e madhe për banorët.