Wednesday, April 24, 2024

KONGREGATA

HISTORIA E KONGREGATËS SË MOTRAVE FRANÇESKANE TË ZOJËS SË PAPËRLYER


Kongregata e “Françeskaneve të Zojës së Papërlyer” është themeluar në Graz të Austrisë, më 29 shtator të vitit 1843 nga Antonia (Nëna Franciska) Lampel, me përkrahjen e ipeshkvit Roman Sebastian Zängrle (atëherë i emëruar si Ipeshkëv Kont),  duke e quajtur Motrat Shkollore të Rregullit të Tretë të Shën Françeskut.

Themeluesja, Antonia Lampel, e lindur në Fürstenfeld, më 28.08.1807 ishte fëmija  i dytë me radhë. Pas vdekjes së hershme të prindërve të saj, e takojmë si mësuese së bashku me motrat në shkollën private të vajzave në Graz në vitin 1840, ku udhëheqjen e shkollës e marrin në kompetencë motrat Lampel, së pari Amalia e pas vdekjes së saj Antonia.  Motrat Lampel kanë pasur një formim-arsimim shumë të mirë si nga ana religjioze (fetare) poashtu edhe nga ana intelektuale. Qëllimi i Themelueses ishte, që bashkë me pesë motrat, të pranojë sfidat e kohës dhe t’i dalë në ndihmë  Kishës në nevojat e saj duke i arsimuar dhe edukuar vajzat, sidomos ato nga familjet më të varfëra. Me disa ndihmëse të reja, ato e sollën shkollën në një nivel të lartë. Ato bënë përpjekje që edhe ndihmëset e tyre t’i aftësojnë që të bëhen mësuese të mira dhe edukatore dhe t’i përfitojnë për një jetë sa më intensive fetare. I tërë ky grup hyri në RREGULLËN E TRETË TË SHËN FRANÇESKUT TË ASIZIT dhe me përkushtim e entuziazëm përpiqeshin të realizonin idealin e tij në jetën e përditshme, veçanërisht dashurinë e tij ndaj varfërisë.

Në atë kohë, në selinë ipeshkvore gjendej Sebastian Zängrle, i cili ishte i vetëdijshëm për shkatërrimin shpirtëror të klerit dhe të popullit si pasojë e jozefinizmit, i cili mbretëronte gjatë asaj kohe. Ai i orientoi të gjitha forcat drejt gjallërimit dhe përforcimit të jetës religjioze-fetare dhe në këtë ai kërkoi ndihmë prej kongregatave rregulltare mashkullore dhe femërore.  Është kujdesur për të sëmurët dhe për të moshuarit, por kujdesin më të veçantë ua kushtonte edukimit të vajzave të varfëra, sepse ishte i bindur, se nëna është mësuesja e parë prej së cilës fëmijët do të mësojnë ta nderojnë Hyjin. Pa këtë bindje, familja nuk do të ketë një formim të krishterë. Ai mendonte se pikërisht rregulltaret janë më të përshtatshmet dhe më të aftat për këtë detyrë. Duke ditur se asnjë Kongregatë rregulltare ekzistuese nuk ka mundur ta pranojë një detyrë apo mision të tillë, ipeshkvi e themeloi një bashkësi përkatësisht Kongregatë të Re.

Këtu u përputhën vizionet e Antonies dhe të Ipeshkvit. Ajo ia paraqiti vizionin e bashkësisë së re rregulltare në një shkresë të ashtuquajtur “Magna Carta” dhe kërkoi prej tij lejen që të mund të jetonte me koleget e saj, në bashkësinë, të cilën Kisha do t’ua aprovonte, sipas RREGULLËS SË TRETË TË SHËN FRANÇESKUT TË ASIZIT, të cilit ato i takonin.

 Ipeshkvi me pëlqim dhe gëzim iu përgjigj dëshirës së tyre dhe ndërmori hapat e nevojshëm që Instituti i tyre të njihet dhe të pranohet nga ana e Kishës dhe e Shtetit.

Me 29 shtator  1842, mbreti austro-hungarez, Ferdinandi I ua dha lejen shtetërore për Themelimin e Institucionit, ndërsa me 15.07.1843 Papa Gregori XVI e aprovoi themelimin e “ Institutit të Motrave Shkollore të Rregullit të III të shën Françeskut të Asizit” si dhe Statutet e prezantuara. Dita e veshjes rregulltare të 6 postulanteve të para, më 29 Shtator 1843 shënohet si dita e themelimit të Kongregatës. Në vitin 1929 Kongregata u njoh dhe u pranua si Institut me të Drejtë Papnore. Nga viti 1954, Kongregata mban emrin “Françeskane të Zojës së Papërlyer”.

Rritja e Kongregatës

Nëna Franciska, me flijimin dhe dashurinë e saj, ka mbjellë farën dhe frytet vazhdojnë.

Kongregata u zgjerua pothuajse në të gjitha anët. Për një kohë të shkurtër u themeluan filialet e reja në Austri dhe në shtete të tjera.  Nga kjo rrënjë lindën edhe tri Kongregata:

  • Kongregata e Motrave Shkollore në Vöcklabruck (1860), pjesa e sipërme e Austrisë;
  • Kongregata e Motrave Shkollore të shën Françeskut të Asizit në Maribor;
  • Kongregata e Motrave Shkollore në Çeki (Ish – Çekosllovakia, 1888).

Ndryshimet politike dhe largësitë e mëdha hapësinore kushtëzuan ndarjen e Kongregatës në Provinca: Austria, Brazili dhe Mali i  Zi.

Vikariate: Sllovenia,  Franca dhe Afrika e Jugut.