Saturday, April 20, 2024

Lezha

LEZHA

Duke parë e duke vlerësuar punën e motrave në Kallmet, ipeshkvi i Lezhës, Monsinjor  Ottavio Vitale e pa të nevojshme dhe bëri kërkesë për një shkollë të tillë edhe në qytetin e Lezhës. Kjo kërkesë u pranua dhe u realizua nga eproret tona. Në vitin 2004 u bë bekimi i gurit të themelit dhe dalëngadalë filluan punimet. nevojën për  një shkollë private e miratuan edhe autoritetet civile dhe kështu e morëm nga ministria e Arsimit  edhe liçencën për të vazhduar punën tonë në arsim në këtë qytet. Shkolla dhe kopshti  “Atë Shtjefën  Gjeçovi” u liçensuan nga MASH si shkollë jopublike për ciklin 9 – vjeçar dhe punojnë me të njëjtën kurrikul si në shkollat publike. Në vitin 2006 u përfundua një pjesë e projektit, po këtë vit motrat erdhën të banojnë në Lezhë, dhe shkolla hapi dyert e saj me 2 klasa të pesta dhe 2 grupe kopshti. Nga viti 2006-2008 motrat kanë banuar në ambientet e shkollës.  Shkolla dhe kopshti kanë qenë në të njëjtën godinë. Në vitin 2008 u përfunduan ambientet e kopshtit dhe shtëpia e motrave. Numri i nxënësve në shkollë e kopsht ka ardhur duke u rritur çdo vit. Sot frekuentojnë shkollën 410 nxënës dhe kopshtin 94 fëmijë. Shumica e nxënësve vijnë nga qyteti i Lezhës, por ka edhe nga ata që vijnë nga fshatrat përreth. Në edukimin e këtyre fëmijëve kontribojnë 20 mësues dhe 11 motra. Mësuesit që japin mësim në shkollën tonë janë të gjithë me arsim përkatës. Për mbarëvajtjen e punës në edukimin e brezave të ri, shkolla ofron mundësi për trajnime të ndryshme sipas nevojave e kërkesave të kohës. Që në fillim motrat përveç punës në shkollë dhe  kopsht angazhohen edhe në  pastoral. Mbajnë katekizëm në Famullinë “Zoja Nunciatë”Lezhë, në Katedralen “Shën Nikolla”, dhe në famullinë e Grashit, ku përgatisin fëmijët e të rinjtë për sakramente si dhe animojnë liturgjinë. Çdo vit motrat organizojnë kampe verore me fëmijët e shkollës.