Saturday, April 20, 2024

Prizren

PRIZREN

Veprimtaria në gjimnazin “Loyola – Gymnasium” në Prizren

Fillimet

Kishte kohë që kërkohej të ndërtohej një shkollë katolike elitare edhe në Kosovë. Të moshuarit në Prizren mbanin mend shkollat e tilla dhe me nostalgji flisnin për to. Të entuzjazmuar nga kujtimet e të moshuarve, si dhe historia e lavdishme e shkollave jezuite e françeskane në Shkodër, një grup i prindërve dhe rinisë kosovare në Kosovë kërkuan nga Kisha katolike të bëjnë diçka në këtë drejtim. Siç e dimë, shoqata Renovabis, si organizatë bamirësie katolike, merret kryesisht me këtë çështje, kështu edhe lutja u dërgua pikërisht aty. Ata kërkuan në Gjermani person me përvojë për ndërtimin dhe drejtimin e shkollave katolike. Renovabis kërkoi ndihmë tek urdhëri elitar, jezuitët. Ata caktuan personin me përvojë të gjatë në Gjermani dhe Kinë, p. Walter Happel. Kështu u formua shoqëria bartëse e “Loyola – Gymnasium”: ShShoqëria e rinisë kosovare, jezuitët, Ipeshkvia e Kosovës.

Faleminderit Zotit pushteti e pranoi këtë projekt. Sot kjo Shoqëri është pasuruar me shumë e shumë  anëtarë dhe kompani të ndryshme evropiane, sidomos gjermane.

Pasi që shkolla do të ishte me nxënës të të dy gjinive kërkoheshin edhe motra.

Për herë të parë karizmën tonë në Kosovë e filluam pikërisht në këtë shkollë. Ishte Kapitulli Provincial i vitit 2001 që vendosi të pranojmë kërkesën e p. W. Happel, kërkesë që u bë me sugjerimin e ipeshkvit të atëhershëm, mons. Mark Sopit – pastë dritë!

Të gjitha motrat e pritën me një entuzjazëm të veçantë këtë ftesë që në të njëtën kohë ishte edhe sfidë e rëndë: hera e parë që po fillonim me veprimtarinë në shkollë, motrave u mungonte përvoja, vendi akoma nuk e kishte marrë veten nga lufta, shkolla pritej të ishte multietnike dhe multikonfesionale të gjitha këto na bënin të ishim skeptike se si do të vazhdonte veprimtaria e tillë.

Edhe pse p. Happel kishte kërkuar motra për veprimtari të ndryshme, për mungesë të kuadrit Këshilli Provincial vendosi të përgjigjej si fillim me dy motra: caktuan m. Hana Kqira për drejtim të konviktit dhe m. Shpresa Kabashi për mësimdhënie në shkollë. Që mos të ndiheshim vetëm, njëra në konvikt e tjera në shkollë, patri kishte llogaritur gjysëm orari punë në konvikt edhe për m. Shpresa, kurse m. Hana e cakton si pjesë të borditë të udhëheqjes edhe në gjimnaz.

Çdo fillim është i vështirë, por këtu ishte më i vështirë. Gjithçka ishte në ndërtim e sipër. Motrat morën një dhomë me qera në qytet derisa u ndërtua konvikti. Edhe pse punohej me shpejtësi të madhe, shtatori po afrohej, gjithçka dukej larg… por Zoti ishte me neve dhe në një kohë rekord gjithçka u bë gati për t’i pritur nxënësit e parë. Vetëm 5 muaj  zgjati ndërtimi i shkollës dhe një pjesë e konviktit. Më 12 shtator 2005, janë hapur në mënyrë solemne pjesë të shkollës dhe të konvikteve. Mësimi për 184 fëmijë filloi në ditën e nesërme.

Në fillim shkolla filloi me tri paralele klasë të gjashta dhe tri paralele klasë të shtata. Pasi që objekti ishte shumë i madh, që mos të qëndrojë bosh, vitin e dytë përveç tri klasëve të gjashta të reja, u pranuan edhe tri klasë të dhjeta.

Vit për vit me pranim të nxënësve të rinj, gradualisht shkolla u mbush dhe mori formën e dëshiruar, ashtu siç ishte planifikuar: shkolla të jetë shembull i arsimit në trevat shqiptare.

Shkolla sot

Sot “Loyola –Gynasium” përbëhet nga shkolla fillore, gjimnazi, konvikti dhe falë kërkesave të qytetarëve po zgjërohet gjithnjë e më shumë. Loyola është një institucion që vlerësohet shumë për punën e paepur të kolektivit të përzgjedhur, nxënësve të zellshëm dhe besimit të fortë të prindërve.

Sot në Loyola punojnë vetëm dy motra Afërdita Kaqinari si mësuese e ciklit të ulët në shkollën fillore dhe m. Luqe Qollakut në konvikt, ku kujdeset për një grup të vajzave.

Që në fillimet e shkollës, sot aq më tepër, përveç aktiviteteve të ndryshme, duhet cekur tradita e festimeve: Dita e shkollës (dita e bekimit të gurthemelit) më 16 Prill, 28 Nëntori, Halloween party festat e fundvitit, festa e abetares etj.

Dita e shkollës këtu festohet krejt ndryshe nga shkollat tjera, sepse përveç programit të përbashkët tradicional, në të njëjtën ditë mbahet edhe Dita me Dyertë Hapura. Të gjithë mësuesit organizojnë aktivitete të ndryshme nëpër klasa, ku mund të marrin pjesë përveç prindërve të nxënësve, në këtë ditë mund të marrin pjesë edhe kushdo që është i interesuar të dijë  se si punohet në këtë shkollë. Që nga fillimi kur kushtet ishin solide, edhe sot e kësaj dite kur kushtet janë fenomenale, kushdo që ka vizituar orët e tilla kanë mbetur të mahnitur me punën e mësuesve dhe nxënësve të kësaj shkolle.

Janë shumë gjëra që këtë shkollë e veçojnë nga shkollat tjera, por ajo që nuk mund të bëhet në shkolla tjera është mundësia për t’u diplomuar në nivele të ndryshme të gjuhës gjermane, shkëmbimi i përvojave me shkolla të ndryshme gjermane dhe mundësia për shkollim dhe punësim në Gjermani pas përfundimit të klasës së dymbëdhjetë.

Sot janë shumë nxënës nga Kosova që kanë përfunduar shkollën në këtë shkollë dhe aftësohen në profesione të ndryshme në Gjermani. Të gjithë të përzgjedhurit kanë treguar talent, sjellje dhe çdo ditë e më shumë po prezantojnë Kosovën në mënyrë të shkelqyeshme.

“Dita e mirë shihet me nadje”,kjo më së miri flet për të arriturat e menjëhershme të kësaj shkolle. Besojmë se nxënësit e kësaj shkolle do të jenë personat që vendit tonë do t’i japin fizionomi tjetër, dhe do ta zhvillojnë ashtu siç e meriton dhe siç i ka hije këtij vendi të stërmunduar nga intrigat, spekulimet dhe korrupsioni i së kaluarës. Me ndihmen e Zotit gjithçka mund të arrihet.

Asgjë në këtë jetë nuk është arritur pa mund e sakrifica, as në Loyola. Por varësisht paaftësisë sonë, kufizimeve tona, moskuptimeve dhe pengesave njerëzore, Zoti e filloi punën në Loyola dhe e vazhdon, kurse ne ishim dhe jemi vetëm vegla në duart e Tij, kështu puna u rrit dhe po rritet çdo ditë. I qofshim falë planit dhe veprave të Zotit!