Friday, April 26, 2024

Cetinja

CETINJA

Historia e Bashkësisë së Cetinës fillon me ardhjen e motrave të para në Mal të Zi  më 10.12.1946. Pas ardhjes në Cetinë, motrat banuan nën çatinë e Senatoriumit.

Në këtë banesë qëndruan deri tek koha e shkatërrimit të Senatoriumit, në vitin 1959. Po në këtë vit motrat u shpërngulën në çatinë e spitalit të fëmijëve, rr.Vojvode Batrića 8, pra, në ndërtesën e ish-ambasadës Ruse. Në ndërkohë, motrat lidhën kontratën me Kryeipeshkvin e Tivarit (në vitin 1963) lidhur me shrytëzimin e shtëpisë së famullisë. Pas 26 viteve të ardhjes së motrave në Cetinë, mons. Aleksander Tokić, kryeipeshkvi i Tivarit ua lejoi vendin e nevojshëm për ndërtimin e shtëpisë. Punimet filluan në shtator të vitit 1971 ndërsa përfunduan në korrik të vitit 1972. Bekimin dhe inaugurimin e shtëpisë e kreu vetë kryeipeshkvi, me 25.11.1972. Shtëpia në Cetinë ka qenë dhe ka mbetur shtëpi Provinciale deri më sot. Më vonë është rinovuar dhe zgjeruar edhe me një kat tjetër (në vitin 2006), ndërsa si shtëpi noviciati ka shërbyer deri në vitin 2001, kur noviciati u transferua në Hot të Ri (Shqipëri).

Nga historia dimë se kryesisht veprimtaria e motrave ishte puna nëpër spitale, por ato nuk u përqendruan vetëm në të ofruarit e ndihmës mjekësore ndaj të sëmurëve, por me dashurinë e tyre, kujdesin dhe punën e tyre flijuese ua dëshmuan Hyjin të gjithëve që i takonin edhe pse ata i takonin një përkatësie tjetër religjioze, dhe këtë ato e bëjnë edhe sot e kësaj dite. Përveç punës në spital, vizitojnë të sëmurët dhe të moshuarit nëpër shtëpitë e tyre. Motrat janë të kyçura edhe në pastoral: përgatitin për sakramente besimtarët e paktë, të cilët jetojnë këtu, udhëheqin këndimin liturgjik, kujdesen për mirëmbajtjen e kishës. Si veprimtari kryesore kanë aktivitetet ekumenike. Që prej shumë vitesh është bërë traditë Koncerti i Krishtlindjes të cilin e përgatisin motrat me fëmijët e përkatësisë religjioze ortodokse, pastaj udhëheqin edhe korin e të rriturve në bashkëpunim me anëtarët e përkatësive të ndryshme religjioze. Mikpritjen françeskane motrat e jetojnë edhe sot e kësaj dite, duke pranuar shumë prej njerëzve të cilët vijnë në Cetinë për arsye shëndetësore, por edhe atëherë kur vijnë për shkaqe të tjera. Në dyert e kuvendit çdo ditë vijnë të varfërit, të cilët kurrë nuk shkojnë prej shtëpisë së motrave të uritur. Tani janë të punësuara tri motra në spital. Disa prej tyre punojnë kryejnë shërbimet në kuvend, disa punojnë në shtëpinë famullitare. Të gjitha aktivitetet e motrave janë të përmbushura me lutjen e përbashkët. Motrat e sëmura dhe të moshuara në këtë bashkësi me duresën e tyre dhe me lutjen e tyre e përkrahin vazhdimisht apostullatin dhe të jetuarit e karizmës së Motrave Françeskane të Z.P.