Saturday, April 27, 2024

PROVINCA

THEMELIMI I PROVINCËS SË MALIT TË ZI


Provinca e Malit të Zi është degë e Provincës së ish-Jugosllavisë të Motrave Shkollore të Rregullit të III të shën Françeskut. Kjo Provincë ka pasur para Luftës II botërore 15 kuvende (199 anëtare, 148 me kushte të përjetshme), 7 shkolla me nga 875 vajza dhe 2 jetimore me 90 fëmijë jetimë. Numri më i madh i motrave (84) ka punuar në senatorium në Gollnik. Këto patën misionet në Kinë dhe në Francë. Shtëpia Provinciale ishte në Sllovenska Bistrica. Lufta II botërore i solli Provincës vështirësi dhe probleme. Regjimi i ri, i cili erdhi në fuqi pas luftës mori një qëndrim armiqësor ndaj Kishës. Motrat i nxorën nga puna në spital, ua morën kuvendet dhe pasuritë e patundshme. Provinca ishte në shpërndarje e sipër. Disa motra u strehuan tek familjarët e tyre ose u punësuan në mënyrë private. Gjatë kësaj periudhe në spitalin e lartpërmendur gjendej një mjek nga Mali i Zi, dr. Cvjetko Popović, i cili ishte në specializim për tuberkulozën e mushkërive. Pak më vonë ai mori përgjegjësinë e senatoriumit të sapofilluar në Cetinë. Ky mjek, duke përcjellë punën flijuese dhe përkushtuese të motrave, i bëri lutje Udhëheqësisë së Provincës që t’ i jepeshin së paku dhjetë motra për punë në senatorium. Për shkak të largësisë dhe vështirësive të tjera, lutja e tij u pranua me vështirësi.

Pasi mjeku kishte marrë miratimin e Ministrisë së Shëndetësisë nga Mali i Zi dhe nga Ordinariati i Kryeipeshkvisë së Tivarit, më 10.12.1946, dhjetë motra erdhën nga Sllovenia në Cetinë.

Për shërbim në Mal të Zi ishin të caktuara motrat: m.Pija Bajzek, m.Blanka Vedlin, m.Johanes Žižek, m.Tomislava Toplak, m.Venceslava Sarjaš, m.Lamberta Pirc, m.Vladimira Štrucelj, m.Anita Drofenik, m.Gregorija Ketiš dhe m.Albina Tkavc.

Në fillim kishte shumë vështirësi. Kushtet e vështira të punës dhe kequshqyerja, bënë që shpejt disa motra të sëmuren. Për shkak të mungesës së meshtarëve, motrat rrallëherë merrnin pjesë në Meshën Shenjte. Ato ndjeheshin të braktisura dhe të frikësuara nga shumë ngjarje të ndryshme, të cilat ndodhnin vazhdimisht, por Hyji në Provaninë e Tij u ndihmoi dhe u dhuroi forcën që të mund të qëndronin dhe t’i përballonin këto situata dhe kohë shumë të vështira.

Të dorëzuara Vullnetit të Hyjit dhe punës së tyre samaritanase, Zoti nuk i braktisi. Ato morën përsipër punën nëpër spitale kështu që viteve të para, pothuajse të gjitha motrat ishin të punësuara në përkujdesjen e të sëmurëve ose në kuzhinën e spitalit. Më vonë filluan të punojnë edhe nëpër famulli. Hyji së shpejti i bekoi me thirrje të reja, kështu që në Cetinë u themelua Noviciati (1956). Gjatë kësaj kohe, përkrahje të madhe u ofruan edhe Kryeipeshkëvinjtë e Tivarit, të cilët kontribuan që motrave të mos u mungonin përkujdesjet shpirtërore, u ndihmuan moralisht dhe materialisht. Ata kujdeseshin për to duke i përkrahur që të mund ta jetonin karizmën e tyre.

Që nga ardhja e motrave në Cetinë deri në vitin 1965, të gjitha bashkësitë që ekzistonin në Mal të Zi i takonin Provincës së atëhershme Jugosllave. Për shkak të largësisë së madhe ishte vështirë të drejtoheshin bashkësitë, dhe për këtë arsye Udhëheqësia Gjenerale e Kongregatës vendosi që Provincën Jugosllave ta ndajë në dy Provinca, në atë Sllovene dhe Malazeze. Këtë vendim e vërtetoi Kongregata për Rregulltarë në Romë, me 30 tetor të vitit 1965. Lulëzimi i Provincës me thirrje të shumta, e zgjeroi veprimtarinë edhe jashtë kufijve të Malit të Zi.

Provinca e Malit të Zi sot

Provinca e Malit të Zi me seli në Cetinë, sot vepron në shumë vende të botës (Mal i Zi, Slloveni, Kroaci, Kosovë, Shqipëri, Gjermani, Amerikë, Zvicër). Janë themeluar  10 kuvende dhe 17 vendqëndrime. Provinca gjithsej numëron 125 motra me kushte të përjetshme, 5 juniore dhe 2 kandidate. Veprimtaria e motrave përfshin kryesisht edukimin e fëmijëve dhe të rinjve, shërbimin shëndetësor, aktivitete pastorale dhe misionet.