Friday, November 22, 2024
Aktivitete

Dita e jetës së shuguruar - Cetinje

Me 2 shkurt, në festën e Kushtimit të Jezusit në Tempull, Kisha Katolike feston Ditën botërore të jetës së shuguruar. Papa Gjon Pali II, në vitin 1997 e shpalli 2 shkurtin, si ditë botërore të jetës rregulltare.

Këtë vit për Arqipeshkvinë e Tivarit, Dita e Jetës së shuguruar u kremtua në bashkësinë e Cetinjes.

Në këtë kremtim ishin të pranishëm të gjithë rregulltarët së bashku me arqipeshkvin, kryebariun mons. Rrok Gjonlleshaj dhe mons. Zef Gashi, famullitar i Cetinjes.

Kjo ditë u jetua në një atmosferë lutjeje, adhurimi, dëshmie e  sidomos falenderimi ku në qendër ishte kremtimi Eukaristik.

Ajo që në këtë ditë na la mbresë të veçantë në zemër ishte dëshmia e jetës dhe thirrjes së m. Serafina Šmirmaul, apo siç e quajmë të gjitha motrat e Provincës “Maestra”, pasi ka shërbyer për  vite me radhë në edukimin e motrave të reja.

Për një orë të tërë, çdo fjalë e saj e përshkrimit të jetës ishte mesazh i thellë dhe udhëtim feje në të përditshmen dhe në vogëlsi. Është hir i shenjtërisë i jetës së përditshme që pa shenja mahnitëse të jetosh thirrjen me përvujtëri dhe me dëshmi dashurie konkrete, me vlera të vërteta njerëzore dhe shpirtërore.

Motër Serafina, me dëshminë e saj na bëri të kuptojmë se gjatë udhëtimit ka bërë një përvojë përqafimi të vazhdueshëm me Kryqin e Krishtit.

Ishte dëshmi shprese dhe gëzimi, ia vlen ta dhurosh jetën për Jezusin dhe vëllaun njeri. Ajo theksoi: “Duani pa kufi! Falni gjithmonë!” dhe si bijë e shën Françeskut e mbylli këtë dëshmi me lutjen e bekimit të shenjtit të paqes dhe të të mirës.

Në fund të këtij kremtimi, bashkëndamë një AGAPE vëllazërore.