Dita kushtuar Jetës Rregulltare
Me 2 shkurt, Kisha feston Kushtimin e Jezusit në Tempull. Pikërisht kjo ditë i është kushtuar Jetës Rregulltare. Është një ditë në të cilën duhet të falënderojmë Zotin për të gjithë të kushtuarit në Kishë, si dhe të lutemi për thirrje të reja.
Edhe në Arqipeshkvinë e Tivarit dita e të kushtuarve u kremtua në shtëpinë provinciale të MFZP, në Cetinje. Të pranishëm në këtë festim ishin Imzot Rrok Gjonlleshaj, Arqipeshkvi i kësaj arqidioqeze, Imzot Zef Gashi, rregulltarë dhe rregulltare si dhe meshtarë. Nga provinca jonë ishte e pranishme m. Lidia dhe shumë nga motrat tona që veprojnë në Mal të Zi. Takimi filloi në orën 9:30 me ligjëratën e mbajtur nga P. Fran Dushaj ofm, me temë: “Hyni nëpër derën e ngushtë” (Mt 7,13-15)”.
Më pas u vazhdua me një bashkëndarje. Në orën 12:00 u kremtua Mesha Shenjte: në gjuhën shqipe e udhëhoqi Imzot Rrok Gjonlleshaj, në bashkëkremtim me Imzot Zef Gashin, P. Pashko Gojçaj, P. Mikel Pllumi dhe Don Simon Filipaj. Ndërsa Meshën në gjuhën kroate e udhëhoqi P. Fran Dushaj në bashkëkremtim me Don Ivanin, famullitar i Nikshiqit.
Imzot Rroku në predikimin e tij theksoi: “Kjo festë quhet takim, takimi me Simonin dhe Anën profeteshë, pra takimi në mes të mirësisë dhe hirit të Zotit, të dhënë nëpër foshnjen, Jezusin dhe takimi i Jezusit me popullin e zgjedhur në personin e Simonit dhe të Anës. Jozefi, i dëgjueshëm Zotit edhe Ligjit, vjen pikërisht në tempull, sjell Jezusin në tempull sepse dëshiron të zbatojë Ligjin. Siç është dëgjesa e Jozefit dhe e Marisë ndaj Ligjit, varfëria e tyre dhe virgjëria e Marisë, pikërisht, këto elemente çdo i kushtuar duhet t’i marrë e t’i përvetësojë: dëgjesën, varfërinë, pastërtinë. Të kesh dashurinë unike ndaj Zotit: kjo është virgjëria. Të kesh pasurinë unike ndaj Zotit: ja varfëria dhe të kesh fuqinë unike në vullnetin e Zotit: ja dëgjesa. Jeta e kushtuar duhet të ketë edhe urtinë me të cilën e tregojmë fytyrën e Zotit. I kërkojmë shenjat e Tija dhe e kërkojmë vullnetin e Tij.”
Mbas Meshe u bë gjysmë ore adhurim të të Shenjtërueshmit Sakrament dhe më pas u shtrua dreka e përbashkët vëllazërore.