Friday, November 22, 2024
Aktivitete

“Kapitulli me Dyer të hapura”

“Shëmbëlltyra e grurit dhe egjrës”   Mt 13, 24-43

Lezhë, më 10 prill 2021

 Udhëhoqi P. Gazmend Tinaj, OFM.

Ditën e shtunë, më datën 10 prill 2021, edhe pse gjendemi akoma në situatë pandemie, patëm fatin të takohemi në bashkësinë e motrave në Lezhë për të mbajtur “Kapitullin me Dyer të hapura” siç është tashmë traditë të mbahet për çdo vit, me përjashtim të vitit të kaluar kur gjendeshim në izolim të plotë nga virusi Covid-19.

Në këtë takim mundën të marrin pjesë rreth 60 motra, pothuajse gjysma e Provincës. Ishte vërtetë një kënaqësi ky takim mes motrave që vinin nga bashkësi e famulli të mdryshme nga të tri shtetet: Mali i Zi, Kosova dhe Shqipëria.

Ligjëratën e mbajti Atë Gazmend Tinaj i cili ka studiuar në Tokën e Shenjtë dhe i njeh mirë vendet dhe rrethanat në të cilat janë shkruar ungjijtë. Për këtë ditë Atë Gazmendi kishte zgjedhur shëmbëlltyrën e grurit dhe të egjrës të marrë nga ungjilli sipas Mateut. Ai tha se Ungjilli i Mateut është shkruar rreth viteve 50-60 në Antiokinë e Sirisë e cila kishte një bashkësi shumë të madhe të krishterë e përbërë kryesisht prej hebrenjëve që kishin besuar në Krishtin. Jezusi ka ardhur për të filluar një botë të re, por bota e vjetër ishte akoma e pranishme. Kështu ndodh edhe me secilin prej nesh. Në fillim, të gjithë kishim një zell të madh e donim të bëheshim të shenjtë. Pastaj çfarë ndoll? Shohim se jemi njerëz me të gjitha mangësitë tona, fillojmë të mëkatnojmë, barka jonë fillon të mbushet me ujë. Bota e vjetër është gjithmonë e pranishme. Zjarri fillestar është zbehur dhe shumë aspekte të jetës pagane janë shfaqur përsëri.

Ara e Zotit është mrekulli. Ara – është Kisha, është bashkësia, jemi ne. Zoti ka vu farën e bukur në ne. Armiku mbjell egjrën ndërkohë që po flinin… Në fushën e përshpirtërisë dhe atë morale nuk duhet pasur kurrë gjumë. Rrini zgjuar. Pra i keqi hyn kur bashkësia është e përgjumur. Është instinkti ynë njerëzor që e ka mbjellë këtë egjër. Në jetën tonë ka grurë edhe egjër. Ndonjëherë shohim shumë egjër në jetën tonë. Por mos u shqetësoni. Gjithçka do të pastrohet në zjarrin e vetëm që Zoti ka ndezë, që është dashuria. Pra, të gjykosh do të thotë të duash. Ti si imazhi i Zotit do të mbërrish e pastër, e pastruar në zjarrin e dashurisë.

Këto ishin disa nga fjalët që Atë Gazmendi na i drejtoi me përzemërsi dhe këshillim vëllazëror.

Pas një pushimi të shkurtër, motrat diskutuan mbi temën në grupe të vogla për të vazhduar pastaj me Meshën e Shenjtë në kishën e Fretërve në Lezhë. Mbas Meshe ishte dreka e përbashkët që motrat e bashkësisë në Lezhë e kishin përgatitur me shumë kujdes dhe dashuri.

Mbas dite, u zhvidhua plenumi në praninë edhe të Atë Gazmendit të cilin m. Lidia e falënderoi edhe në emër të motrave që kishte pranuar të na udhëhiqte në këtë ditë të veçantë. M. Lidia gjithashtu falënderoi edhe të gjitha motrat pjesëmarrëse dhe porositi në lutje për nevojat e provincës duke kujtuar se po afrohemi drejt kapitullit provincial që do mbahet vitin e ardhshëm.

Të kënaqura për takimin në këtë ditë të bukur, motrat u shpërndanë secila drejt misionit të vet.