Thursday, November 21, 2024
Aktivitete

Kapitulli me dyer të hapura

Lezhë, më 15 prill 2023

Ditën e shtunë, mbas së Dielës së ringjalljes, sipas traditës së krijuar tashmë në Provincën tonë, u zhvillua “Kapitulli me dyer të hapura” në ambientet e shkollës “Atë Shtjefën Gjeçovi” në Lezhë, ku mori pjesë një numër i madh i motrave që shërbejnë kryesisht në Mal të Zi, në Kosovë dhe në Shqipëri. Ishte ky një takim jo vetëm i rëndësishëm por edhe i nevojshëm për të bashkëndarë gëzimin e Ringjalljes dhe të takimit me njëra-tjetrën, pasi që jemi të shpërndara në vende të ndryshme dhe takimet tona mbeten të rralla.

Për ta pasuruar këtë ditë edhe në aspektin shpirtëror, ishte i ftuar për një konferencë dhe për kremtimin e Meshës së Shenjtë, Atë Bernard Caruana, O.P, Vikar i Përgjithshëm i Arqidioqezës Tiranë-Durrës.

Duke falënderuar për ftesën, Atë Bernardi tha se ndihem si një vëlla në mes jush dhe jam i lumtur që po bashkëndaj me ju një pjesë të udhëtimit tim. Pastaj vazhdoi: “Kisha po përjeton ecjen e Sinodit. Dëshiroj të shoshisim së bashku këtë pyetje të dyfishtë – Çfarë mund të mësojë jeta e kushtuar nga Sinodi dhe çfarë mund të mësojë Sinodi nga Jeta e kushtuar?

Për të ecur së bashku kërkohen disa elemente ndër të cilat shumë i rëndësishëm është  Procesi i dëgjimit.

Njeriu në botën bashkëkohore e ka humbur busullën. Ne në jetën rregulltare i kemi themelet, por këto nuk mjaftojnë që të kemi një këndvështrim më të hapur. Edhe ne ndikohemi nga bota ku kërkohet pavarësia e individit. Pavarësi që nuk garanton lirinë, por diktaturën e shprehjes së lirë. Ne të kushtuarit nuk duhet të bëjmë një jetë paralele; nuk na duhet gjë studimi e diploma, nëse nuk dimë të komunikojmë me njëri-tjetrin. Kalojmë kohën duke kritikuar për gjërat që nuk shkojnë mirë. Të kemi kurajo të përmbahemi, e nëse duhet të themi diçka, le ta bëjmë pas një shqyrtimi. T’i shmangim kritikat për të tjerët, të gjunjëzohemi e të vihemi në dëgjim. Çdo person ka diçka për të thënë dhe ka nevojë që dikush ta dëgojë. Të vihemi në dëgjim të njëri-tjetrit dhe së bashku të vihemi në dëgjim të Shpirtit Shenjt.

Një tjetër element i rëndësishëm për të ecur së bashku është virtyti i diturisë:

njeriu që ndihet i vetëplotësuar, ia mbyll derën tjetrit. Zoti flet nëpërmjet popullit të tij, nëpërmjet fesë dhe liturgjisë. Liturgjia është vendi i parë dhe i vetëm i bashkimit; është përjetimi i gjallë i mistereve qiellore. Në liturgji kremtojmë dhe bashkëndajmë besimin tonë. Krishterimi është një ngjarje, është takimi me Jezusin”.

Takimi vazhdoi me Kremtimin eukaristik dhe më pas patëm drekën e përbashkët të përgatitur me shumë kujdes dhe dashuri nga motrat e bashkësisë në Lezhë.

Në përfundim të këtij takimi u mblodhëm në plenum të drejtuar nga m. Ollga. Ajo falënderoi të gjitha motrat e pranishme dhe jo vetëm, për punën që secila bën në fushën e saj, sidomos falënderoi motrat e bashkësisë Dobrotë që me shumë dashuri kujdesen për motër Ksaverija e cila prej vitesh nuk lëviz nga krevati.

m. Ollga rikujtoi motrat për disa kremtime që do bëhen gjatë këtij viti, siç është bekimi i Azilit në Petrovac në muajin qershor, 25 vjetori i kushtimit të motrave në gusht, përvjetorë të datëlindjeve, Visita kanonike e m. Petra, etj.

Ajo gjithashtu risolli në vëmendje propozimin e bërë nga Kapitulli XIX Provincial që “Raporti i eprores provinciale të lexohet nga të gjitha motrat dhe ta përdorim atë në Kapitullin e ripërtëritjes së Jetës”.

Në përfundim të krejt takimit, motrat e bashkësisë Lezhë kishin përgatitur një program të shkurtër artistik me disa nxënës që frekuentojnë shkollën tonë.

Me ndjenja gëzimi dhe falënderimi, përfunduam ditën e Kapitullit me Dyer të Hapura, 2023.