Saturday, November 23, 2024
Aktivitete

Vizita e Kardinalit shqiptar Ernest Simoni në kishën e shën Palit – Michigan (USA)

Me datë 18 Mars 2017, u shënua një ngjarje historike për bashkësinë shqiptare në Michigan. Patëm fatin të kemi në mesin tonë në kishën e Shën Palit, Eminencën e Tij Kardinal Ernest Simonin, me rastin e festimit të lumturimit të martirëve shqiptarë të cilët dhanë jetën për Krishtin.

Me këtë rast u organizua një darkë solemne, ku ishin të ftuar të veçantë Arqipeshkvi i Detroitit, Majori i qytetit etj., por nuk mungoi pjesëmarrja e disa qindra bashkëkombësve që jetojnë këtu në Amerikë. Gjatë darkës u shfaq një film dokumentar kushtuar Kardinalit Ernest Simoni dhe në vazhdim e mori fjalën Dom Fred Kalaj, Kardinali Ernest Simoni dhe Arqipeshkëvi Allen Vigneron. Arqipeshkvi i Detroitit u shpreh për kënaqësinë dhe fatin e madh që ne patëm të kemi në mesin tonë martirin e gjallë, i cili ka kaluar kalvarin e gjatë të vuajtjeve të sistemit komunist.

Darka kaloi në një atmosferë të ngrohtë me këngë të përshpirtshme dhe valle popullore.

Me datë 19 Mars 2017, në ora 10:00 paradite, u mbajt Mesha Solemne, të cilën e parapriu Kardinali. Gjatë procesionit në hyrje të kishës ishte shoqata Knights of Columbus e veshur me uniformat e tyre karakteristike, ndërsa fëmijët të veshur me kostume popullore shqiptare mbanin në duar fotografitë e 38 martirëve të cilët dhanë jetën për fe e për komb. Kjo meshë ishte shumë prekëse dhe u përcoll me devocion e lot.