Saturday, November 23, 2024
Aktivitete

Seminari me temë: SHQYRTIMI I DASHURIVE TË PARREGULLTA

Në Shkodër, u mbajt seminari me temë: SHQYRTIMI I DASHURIVE TË PARREGULLTA prej 25 – 28. 01. 2019., të cilin e drejtoi p. Emilio Magana SJ, profesor në Romë. Ky seminar u organizua nga provincialja m. Lidia Kqira si vazhdim i formimit permanent të motrave Françeskane të Zojës së Papërlyer në saje të Kushtetutës së Kongregatës, pjesëmarrja e të cilave ishte në numër të konsiderueshëm (65 pjesëmarrëse) ardhur nga Mali i Zi, Kosova dhe Shqipëria.

Tema e këtij seminari u trajtua bazuar në realitetin aktual të shoqërisë në të cilën jetojmë dhe momentet me të cilat Kisha po ballafaqohet, duke kërkuar mbi të gjitha kthimin tonë kah Zoti, për çka është i nevojshëm një shqyrtim i mirëfilltë i jetës rregulltare.

Në këtë kontekst, drejtuesi i seminarit, pra p. Emilio bazuar në Shkrimin Shenjt, në Traditë dhe në studime ndërdisciplinare, shpjegoi në mënyrë përmbajtësore dhe të hollësishme – vet rëndësinë e shqyrtimit shpirtëror dhe pothuajse të gjithë faktorët që ndihmojnë në shqyrtimin e mirëfilltë të dashurive apo prirjeve të parregullta në jetën tonë të kushtuar. Ndër to veçojmë disa, si janë: terminologjia, prirjet në fjalorin shpirtëror, prirjet e çrregulluara sipas fjalorit ignacian, prirjet e çrregullta dhe prirjet e këqija. Në pjesën tjetër të temës u trajtua roli i shoqërimit shpirtëror në proçesin e lirimit nga afektet apo prirjet e çrregullta, ku theks të veçantë u vu në lirinë –dëshirën për liri dhe lirimin nga dëshira,  ngaqë dëshira dhe liria janë dy gjëra që ecin bashkë. Pastaj, dhurimi i krejtësishëm i vetvetes, roli i shoqëruesit shpirtëror: si duhet të jetë qasja e tij, kush mund të jetë shoqërues(e) shpirtëror(e)?; kush duhet dhe mund të rregullojë prirjet shpirtërore? Në pjesën e tretë bëhej fjalë mbi: këkimin dhe gjetjen e asaj që duam dhe mbi njohjen e asaj që kërkojmë. Gjithsesi, shqyrtimi duhet të bëhet me kriteret e Jezu Krishtit, pra sipas Ungjillit. Në këtë kontekst, drejtuesi i seminarit duke folur mbi praktikën e shqyrtimit shpirtëror, iu referua edhe praktikës ignaciane.

Pjesë e seminarit përveç ligjeratave, ishte edhe pjesëmarrja aktive e motrave me pyetje, diskutime dhe punë në grupe.

Në fund p. Emilio ofroi një sintezë dhe konkluzion në përgjithshëm, duke theksuar se më shumë duhet tˋu japim rëndësi gjërave pozitive, duke u angazhuar në njohjen e dhuratave dhe hiret që kemi pranuar nga Hyu. Në këtë mënyrë, edhe krizat do të na ndihmojnë të rritemi, të pastrohemi, do të jenë gjendje dhe kohë hiri kur Hyji provon besnikërinë tonë.

Ishte kjo një mundësi e veçantë për njohje dhe thellim të gjithëanshëm me çështjen aq të nevojshme të shqyrtimit të çrregullimeve të prirjeve, me qëllim rritjeje shpirtërore në jetën tonë të kushtuar dhe shërbimi sa më të përkushtuar në bashkësi, Kishë dhe në botë. Përveç kësaj, na bashkoi shoqërimi ynë ndërmotror, lutja e përbashkët e mbi të gjitha kremtimi i Eukaristisë, drejtuar nga don Falco në bashkëmeshim me p. Emilion.

Falënderojmë Zotin edhe për këtë mundësi dhe na e dhuroftë hirin që të sjellim fryte të qëndrueshme me jetë të denjë të krishterë e rregulltare.