Friday, November 22, 2024
Aktivitete

Sfida e formimit të përhershëm në jetën rregulltare

Nga data 7 deri më 9 shkurt 2020, në Bashkësinë e motrave në Shkodër u mbajt Seminari për të gjitha motrat e Provincës i udhëhequr nga P. Emilio Gonzalez, S.I.

Në këtë seminar morën pjesë 52 motra, nisur edhe nga fakti se relatori kishte mbajtur seminare për motrat tona edhe në të kaluarën dhe kishin mbetur të kënaqura qoftë nga përmbajtja qoftë nga mënyra profesionale e mbajtjes së konferencave. Në fillim, Eprorja Provinciale m. Lidia u dha mirëseardhjen motrave si dhe përshëndeti dhe falënderoi P. Emilion që ka pranuar të vijë për të na mbajtur këtë seminar. Edhe P. Emilio nga ana e tij falënderoi Provincialen dhe motrat për besimin nda tij.

Duke folur për nevojat e Kishës sot në përgjithësi dhe për rolin e të kushtuarve në veçanti, ndër të tjera ai theksoi: “Jeta rregulltare gjendet para një sfide të madhe. Në të gjithë botën dhe gjithkund shihet një rënie në pasionin për apostullim. Papa Françesku e përsërit vazhdimisht që vërehet një mungesë e jetës së gëzimit në bashkësitë tona. Ai e shpjegon këtë fenomen me fjalën shekullarizimi i jetës rregulltare. Si ta rinovojmë jetën tonë rregulltare përballë problemeve të botës? Sot problemet janë me të vërtetë të mëdha dhe duhet të jemi të kujdesshëm që ta përballojmë misionin me një guxim të madh. Një rregulltare sot nuk mund të lihet të mbartet nga bota. Bota është dinake dhe nëse  ne nuk jemi në gjendje ta rizgjojnë thirrjen tonë, nuk mund të bëjmë asgjë përballë problemeve që paraqiten. Misioni ynë është të shpallim mbretërinë e Hyjit dhe ta bëjmë të panishëm Krishtin më mes të të gjithëve.

Lind pyetja: a jam unë me të vërtetë dëshmitare e kësaj? A jam në gjendje të ungjillëzoj me punën time? Papa Françesku me dëshminë e tij na mëson: duhet të rimarrin thjeshtësinë dhe afërsinë. Një të folur të thjeshtë dhe të thellë. Angazhimi i tij me të varfërit. Ftesa e tij për të shkuar kundër rrymës. Insistimi i tij që të shkojmë në periferi. Dëshmia e tij që e ka gjetur Krishtin.

Nxënësit për në Emaus ishin të shpërqëndruar, në ankth, të braktisur dhe që kishin humbur shpresën. Ndoshta është situata jonë përballë sfidave që gjejmë në apostullimin tonë. Ishin të bindur se kishin ngatërruar rrugën dhe ndiheshin të zbrazët. Ndoshta kjo është situata jonë e shkurajimit, e lodhjes, sepse problemi i jetës tonë është i madh. Sot Hyji paraqitet si një hipotezë e panevojshme, që shtyp lirinë njerëzore. Këtë mund ta pranojmë nga bota, por çfarë ndoll nëse edhe unë jam i infektuar nga kjo gjë. Vazhdon pjesa e ungjillit: ecnin me Zotin por nuk e kuptonin se ishte Zoti. Kjo do të thotë se në ecje ndodh një takim i papritur, nuk arrijnë ta njohin. Zoti nuk i qorton pse e kanë humbur shpresën. Don të ecë me ta dhe t’u shpjegojë atë që ka ndodhur në Jeruzalem. Ndoshta është kjo mundësia si të mund ta përballojmë ftohtësinë tonë dhe individualizmin tonë. Ta kemi mundësinë që ta ndiejnë Zotin afër. Pa Hyjin jeta jonë rregulltare nuk mund të shkojë përpara, dhe pa dëshirën për ta gjetur Zotin. Zoti na afrohet gjithmonë, jo për të na qortuar por për ta shndritur ekzistencën tonë. Duhet ta kujtojmë se thirrja jonë është e shërbimit dhe e dorëzimit pa kushte mbretërisë së Hyjit. Thesari ynë është ky: të njohësh Jezusin. Takimi me të është gjëja më e mirë që ka  mundur me ndodhë. Me e bërë të njohur është gëzimi më i madh. Nuk kemi një thesar tjetër, nuk ka kuptim të jemi mësuese profesioniste të mira nëse nuk e komunikojmë këtë”.

Pasi bëri një hyrje në problemin e gjerë të Kishës, P. Emilio u ndal më konkretisht në problemet e të jetuarit së bashku dhe se si mund të veprojmë për t’i përmirësuar marëdhëniet tona në bashkësi.

Ai shtoi: “Janë dy elemente që nuk mund t’i harrojnë, që duhet t’i forcojmë: Empatia – me hyrë në jetën e tjetrit: është shumë e rëndësishme të zhvillojmë një ndjeshmëri për të hyrë në botën e tjetrës dhe të përpiqemi të kuptojmë me zemër dhe me mendje, pse motra nuk ndihet mirë. Ndërsa elementi i dytë është: Vetëvlerësimi – unë e di cilat janë pikat e mia të dobëta, dhe i njoh cilësitë e mia. Sepse ndonjëherë problemi nuk është i bashkëmotrave; është problem personal. Që nuk kam arritur ta tejkaloj një kompleks. Ndoshta jetoj një problem të familjes sime.

Për të përmirësuar marëdhëniet në Bashkësi është e rëndësishme të mësojmë të mos i përdorim  dobësitë e bashkëmotrave. Mos të përfitojmë nga njohuritë që kemi për dobësitë e tyre. Mos t’i shpallim kufizimiet që kanë. Por të favorizojmë në bashkësitë tona një projekt të jetës bashkësiore që na ndihmon të rritemi. Është me mirë me i thënë gjërat sy më sy, jo mbas shpine. Mos me i favorizuar përfoljet sepse kjo e shkatërron bashkësinë. Me i shkëputur zinxhirët e thashethemeve. Nëse unë kam diçka kundër një motre, qëndrimi më i krishterë do të ishte të shkoj tek motra dhe t’i them: unë nuk jam dakord me ty për këtë gjë. Ndoshta do të kem një përplasje, por është më mirë të flasim në sy e mos t’i favorizojmë thashethemet. Nëse un nuk e ndihmoj motrën që të rritet, e lë vetëm, kështu që, në vend që ta ndihmoj, e shkatërroj, prandaj as nuk duhet të ankohem, sepse nuk kam bërë asgjë për ta ndihmuar”.

Këto ishin vetëm disa nga mendimet që p. Emilio ka bashkëndarë me ne gjatë këtyre tri ditëve. Përveç ligjëratave, ai i ka dhënë një rëndësi dhe një kohë të veçantë punës dhë shqyrtimit në grupe më të vogla. Mbas Meshës dhe drekës së përbashkët, motrat të entuziazmuara dhe me forca të ripërtërira u shpërndanë secila në misionin e vet.

Falënderojmë p. Emilion për kohën e tij të çmuar dedikuar neve si dhe falënderojmë m. Loreta që kishte ardhur nga Shtëpia amë, enkas për të përkthyer ligjëratat nga gjuha italiane.