Friday, November 22, 2024
Aktivitete

ARTI I TË JETUARIT

ARTI I TË JETUARIT – është titulli i librit të cilin autorja Suzana Lekaj (m. Franciska) ua dedikon prindërve të saj, në mënyrë të veçantë nënës e cila e mësoi dhe e edukoi për rëndësinë e vlerave dhe virtyteve njerëzore.

Në këtë libër, autorja me një thjeshtësi e një ndjeshmëri të lartë, na sjellë në mendje disa prej vlerave dhe virtyteve që kemi fatin t’i përjetojmë dhe t’i ndajmë me të tjerët gjatë gjithë jetës sonë. Ajo na kujton dhe na këshillon se është e nevojshme që, herë pas here, ta ndalim vrapin dhe rendjen e jetës së përditshme për të marrë frymë thellë, për të kuptuar atë që vërtet ka rëndësi, për të kuptuar se jeta është dhuratë e çmuar, se lumturia e vërtetë është një mozaik i bukur ndjesor, në të cilën nuk ka asgjë materiale, e cila nuk blihet, por buron nga brendësia e individit.

Vetë autorja e quan këtë libër një kontribut modest me një qasje psiko-shpirtërore ndaj temave dhe problematikave thelbësore, që “ju mundëson përmes një gjuhe të thjeshtë e të kuptueshme, të njihni së afërmi disa elemente që luajnë një rol të rëndësishëm tek individi dhe në marëdhëniet e tij me vetveten, shoqërinë dhe ambientin që e rrethon, siç janë: emocionet, komunikimi, vlerat, virtytet, njohja e vetes, etj”.

E përgëzojmë motër Franciskën për botimin e këtij libri dhe e falënderojmë që, njohuritë të cilat ajo i ka përvetësuar gjatë formimit të saj në degën e Psikologjisë, ka dashur që t’i bashkëndajë me ne lexuesit, si një guidë të dobishme drejt qetësisë shpirtërore.

URIME MOTËR FRANCISKA