Fjalimi i provincjalës m. Ollga Dulaj me rastin e 10 – vjetorit të kopshtit ”Shën Klara” në Gjakovë.
Gjakove, 17. 05. 2025.
Të nderuar Mons. Dode Gjergji, meshtarë, motra te nderit, autoritete civile
Të dashur prindër dhe fëmijë që frekuentoni Kopshtin Shen Klara,
Të dashur mysafirë e miq të pranishëm!
Me shumë gezim ju përshendes të gjithëve, në emër te themelueseve të Kopshtit Shen Klara, pra të Motrave Françeskane të Zojës së Papëryer!
E falënderojmë Zotin për këtë ditë te bukur, kur festojmë së bashku si një familje e bashkuar e që protagonistët janë femijet, dhjete breza që rriten në mesin tonë, në duart e motrave dhe edukatoreve që me përgjegjësi dhe kujdes vigjilojne mbi ta, me qëllim që t‵i ndihmojmë familjet dhe shoqërinë, para se gjithash në kultivimin e vlerave njerëzore.
Në mënyrë të veçantë falënderoj Ipeshkin, shkëlqesinë e tij, mons. Dodë Gjergjin, për praninë, për bashkëpunimin dhe mbeshtetjen e tij të pa rezervë në veprimtarinë tonë, kudo në Kosovë.
Falënderoj etërit françeskanë, meshtarët tjerë, motrat e nderit, prindërit, stafin dhe të gjithë ata me të cilët në një mënyrë ose tjetër bashkëpunojmë. Prania e juaj është një dëshmi e angazhimit dhe mbeshtetjes suaj të çmuar veprimtarinë tonë në këtë drejtim. Nëpërmjet përpjekjeve të përbashkëta, ne krijojmë një mjedis të sigurt dhe mbështetës për fëmijët.
Puna e palodhur, vetmouhese dhe angazhimi aq fisnik, me shumë përgjegjësi dhe profesionalizem i motrave dhe eukatoreve, bën që sot të festojmë për frytet e punës së tyre të përditeshme, të palodhëshme dhe njëherit të pazëvendsueshme me fëmijë – i falënderoj nga zemra dhe i përgëzoj në këtë ditë të veçantë!
Falënderoj edhe zonjën Adea Roka përgjegjëse për kulture dhe bashkëpunëtoret saj, për mbeshtetjen duke na e mundësuar organizimin e festes në këtë sallë.
Kjo festë qoftë një shikim falëndërues dhe hap i guximshëm drejt të së ardhmes, edhepse kushtet e jetës bashkëkohore sjellin shumë sfida, si per ne si institucion ashtu dhe për jetën familjare dhe edukimin e fëmijëve.
Familja është baza e parë e edukimit, ku fëmijët përjetojnë dashurinë, sigurinë dhe përkatësinë. Edukimi kërkon sakrificë, kohë, durim, mirëkuptim, por gjithashtu njohuri dhe aftësi të veçanta.
Të dashur prindër, faleminderit per bashkëpunimin dhe për besimin tuaj treguar në kujdesin dhe edukimin e fëmijeve.
Ne Motrat Franceskane, jemi të paluhatshme dhe qëndrojmë me shpirtgjërësi në veprimtarinë tonë, që fëmijët të jetojnë ditë pa brenga e më shumë gëzim në mesin tonë e që jo vetëm tʹ i mbajnë mend si ditë te bukura fëmijërie, por të mbetet në ta si farë e mbjellur për rritjen e tyre në njerëz të shpresës për të ardhmen dhe ndërtues të qytetrimit te dashurisë.
Ndryshimet që ndodhin në strukturën familjare kërkojnë mbështetje më të madhe nga shoqëria. Prindërit janë përgjegjës për edukimin e fëmijës, por shoqeria, shteti ka një rol të rëndësishëm në krijimin e kushteve që mundësojnë një prindërim cilësor.
Të moshuarit janë një pasuri e çmuar e çdo shoqërie, pasi ata bartin me vete urtësinë dhe përvojën jetësore që pasqyrojnë historinë e një populli.
Të moshuarit kanë ende shumë për të ofruar: ngrohtësinë, përvojën, këshillat dhe kujtimet që na ndihmojnë të kuptojmë më mirë historinë tonë. Një shoqëri që respekton, dëgjon dhe kujdeset për të moshuarit është një shoqëri që tregon kulturë, përgjegjësi dhe humanizëm. Është e nevojshme për të krijuar një shoqëri të qëndrueshme dhe të bashkuar, ku të gjithë, pa marrë parasysh moshën ose statusin, kontribuojnë në forcimin e lidhjeve sociale dhe zhvillimin e shëndetshëm të fëmijëve, familjeve, shoqërisë në përgjithësi!
Festa e sotme le të jetë edhe një ftesë për ne të gjithë- le të mësojmë nga fëmijët – se kemi nevojë për dorën e tjetrit dhe e le ta ruajmë në zemër dëshirën për pafajësi dhe dlirësi fëmijënore!
Dhe sheqeri në fund!
Falënderoj fëmijët për programin e bukur dhe për vet praninë e tyre!
Me këtë rast ju ftoj të gjithëve edhe në tryezen e përbashkët në ambientet e Kopshtit te Motrat. Ju mirepresim!
Urime e per shume vite!

