Saturday, March 7, 2026
Aktivitete

NJË UDHËTIM FRYMËZUES NGA FËMIJËRIA, SHËRBIMI, PËRVUJTËRIA  DERI NË ZGJEDHJEN E SAJ GJENERALE E KONGREGATËS SË MOTRAVE FRANÇESKANE TË ZOJËS SË PAPËRLYER, MOTËR LORETA LEKAJ NGA GJAKOVA

Me një ndjenjë të thellë gëzimi dhe krenarie të përzemërt, dëshirojmë të ndajmë lajmin e rëndësishëm se motër Loreta Lekaj, një figurë e devotshme me rrënjë të thella në Gjakovë, është zgjedhur Eprore Gjenerale e Kongregatës së Motrave Françeskane të Zojës së Papërlyer. Kjo nuk është vetëm një nderim, por një dëshmi e besnikërisë, udhëheqjes dhe përkushtimit të jashtëzakonshëm që ajo ka treguar gjatë gjithë jetës së saj në Kongregatën tonë.

 

Fëmijëria dhe shkëndija e parë e thirrjes

Motër Loreta u lind më 17 dhjetor 1972, si fëmija i tretë në familjen e Mihill Lekaj dhe Marije Maliqi në Gjakovë. Lindja e saj solli gëzim të madh në familje, veçanërisht pas humbjes së një motre më parë. Emri i saj, Drita (Lucija), i vendosur nga nëna e saj, ishte një dëshirë e sinqertë që jeta e saj të ishte e mbushur me dritë.

Së bashku me motrat dhe vëllain, ajo ndjeki rregullisht mësimet e katekizmit tek françeskanët në Gjakovë, dhe shkollën fillore e kreu në vendbanimin e saj. Kjo e ndihmoj në formimin e saj të hershëm shpirtëror.

Megjithatë, dy ngjarje të veçanta shërbyen si pika kthese. E para ndodhi kur ishte në klasë të katërt dhe u shtrua në spital për shkak të një sëmundjeje. Atje, ajo u ndikua thellësisht nga motrat françeskane të Kryqit të Shenjtë, të cilat punonin në repartin e fëmijëve. Përkushtimi, sakrifica dhe besimi i tyre i palëkundur ndezën në zemrën e Dritës (Loretës) shkëndijën e parë të thirrjes për një jetë të kushtuar. Kjo shkëndijë u ndihmua të rritet edhe më tej nga Françeskanët në mesimin e fesë.  

Ngjarja e dytë ishte pjesëmarrja e saj në kuize fetare për fëmijët e Kosovës. Ku gjatë njërit prej tyre, në vitin 1986, ajo mësoi përmendësh Ungjillin e Shën Lukës, ndërsa në një tjetër, në vitin 1988, kushtuar Nënës së Zotit, thirrja e saj u forcua dhe u thellua. Ajo e konsideron këtë si një dhuratë të veçantë të Nënës së Zotit, e cila i hapi rrugën drejt kushtimit të saj Zotit.

 

Udhëtimi drejt jetës së kushtuar Zotit

Edhe pse prindërit e saj fillimisht e kundërshtuan vendimin e saj, më në fund e pranuan, duke kuptuar thellësinë e dëshirës së saj. Kështu, më 8 shtator 1988, në festën e lindjes së Marisë, motër Loreta hyri për herë të parë në Kuvendin e Motrave Françeskane të Zojës së Papërlyer.

Udhëtimi i saj në jetën rregulltare ishte i pasur dhe i larmishëm. Pas pranimit nga motër Katarina, ajo udhëtoi për në Mal të Zi. Ajo ndoqi studimet në gjimnazin klasik në Cetinje, ku edukatorja e saj për katër vite ishte motër Jozefina. Pas përfundimit të maturës, në vitin 1993, ajo hyri në noviciat, ku nën drejtimin e motrës Serafina, u thellua në jetën shpirtërore dhe në rregullat e Kongregatës. Kushtet e para i dha më 11 shtator 1995.

Pas këtij hapi të rëndësishëm, eprorët e dërguan në Romë, së bashku me motër Lidia Kqiraj, për të vazhduar studimet.

Motoja e motres Loreta ishte ” Zoti në vend të parë”, e frymëzuar nga Shën Zhanë d’Ark, ky parim u bë udhërrëfyes i jetës së saj.

Kushtet e  përjetshme, m. Loreta Lekaj i bëri  në vitin Jubilar 2000, më 17 shtator, në Zym të Kosovës, në kishën kushtuar Nënës së Zotit.

 

Shërbimi

Pas kushteve të përjetshme,  në vitin 2000  motrës Loreta iu besuan role të rendesishme në Provincen e Malit të Zi. Ajo shërbeu si edukatore e postulantëve në Dobrotë, në Malit të Zi dhe më pas si edukatore e kandidateve në Shkodër, ku pati mundësinë të ndajë me të rejat përvojën dhe urtinë e saj. Përveç kësaj, ajo kontriboi në arsimin e të rinjve si mësuese e filozofisë në shkollën e Jezuitëve ‘’Atë Pjetër Meshkalla’’.

Për motër Loretën, puna me të rinjtë nuk ishte thjesht një detyrë, por një hir i madh, një mundësi për të dëshmuar veprën e Zotit në zemrat e tyre. Ajo shpesh e ka thënë: detyra  me të rinjtë, megjithëse e bekuar, mbart një përgjegjësi të madhe, si para Zotit, ashtu edhe para njerëzve.

Jeta e saj është një dëshmi e besnikërisë së Zotit dhe një shembull frymëzues për të gjithë ne.

Nga viti 2010 deri në 2014, ajo shërbeu si Sekretare Provinciale, një detyrë që kërkonte organizim, saktësi dhe njohuri të thella të rregullave të Kongregatës. Gjatë kësaj kohe, ajo nuk ndaloi së shërbyeri në bashkësi, duke u transferuar në Kallmet në vitin 2010.

Me 1 nëntor 2011, u transferua në Vjenë, ku do të studionte dhe shërbente. Fillimisht, ajo shërbeu në Nunciaturën Apostolike në Vjenë (2011-2012), një përvojë e cila e njohu me diplomacinë kishtare dhe punën e Selisë së Shenjtë. Paralelisht me shërbimin, ajo ndoqi studimet Shpirtërore në Vjenë, një fushë që do të forconte themelet e saj si edukatore.

Në vitin 2013, ajo u emërua Këshilltare e Përgjithshme e Kongregatës, një rol i rëndësishëm në Kongregatën tonë.

Në vitin 2015, ajo ndoqi një kurs njëvjeçar në Romë, i specializuar për edukatoret e reja. Kjo përvojë akademike e pajisi me metodologjitë dhe njohuritë e nevojshme për të udhëhequr formimin shpirtëror të motrave.

Menjëherë pas përfundimit të këtij kursi, në vitin 2016, ajo u emërua Magister e Noviceve dhe u transferua në Hot i Ri. Ky ishte një rol me rëndësi të veçantë, pasi ajo u bë udhërrëfyesja kryesore për të rejat që sapo kishin filluar rrugëtimin e tyre në jetën rregulltare. Përgjegjësia për të formuar shpirtrat e rinj ishte një dëshmi e besimit të thellë që Kongregata kishte tek aftësitë e saj. Ajo e mbajti këtë detyrë deri në vitin 2018, duke ndihmuar në rritjen dhe pjekurinë e shumë motrave të reja.

Në vitin 2019 m. Loreta Lekaj në Kapitullin e zgjedhjës së epororës gjenerale u emrua zëvendës gjenerale dhe me datën 09.08.2025 m. Loreta Lekaj nga delegatet  pjesëmarrëse u emrua motër Gjenerale e Kongregatës së Motrave Françeskane të Zojës së Papërlyer në Graz të Austrisë.

  1. Loreta Lekaj është një motër e përgatitur edhe nga ana gjuhësore ajo flet shumë mirë: gjuhën Kroate, Gjermane, Italiane dhe njohëse e mirë e gjuhës Angleze dhe Franceze.

 

I urojmë motres Loreta bekimin e Zotit në këtë detyrë dhe i premtojmë lutjen tonë.

 

Urime të përzemërta edhe për motrat këshilltare që do e ndihmojnë m. Loreta për ta kryer sa ma mirë këtë sherbim në Kishë.

Motrat këshilltare:

  1. Hana Rushaj – Zëvendëse Gjenerale
  2. Celina Kaminari – këshilltare
  3. Marta Žalik– këshilltare
  4. Anna Rautar – këshilltare
  5. Magda Schmidt– këshilltare

 

URIME!