Sunday, May 19, 2024
Aktivitete

50-vjetori i themelimit të Provincës

“Laudato Si’, mi’ Signore” – O Zoti im, Ti qofsh lëvduar! Është kënga e falenderimit të cilën, ne, Motrat  Françeskane të Zojës së Papërlyer, ia kemi lartësuar Hyjit në kremtimin e 50-vjetorit të themelimit të Provincës sonë.

Ditën e shtunë, më 3 tetor, në kishën e shën Antonit në Cetinë, kemi festuar këtë ngjarje të rëndësishme në praninë e një numri të madh të motrave, të cilat për këtë rast kanë ardhur nga vende të ndryshme ku jetojnë dhe veprojnë. Të pranishëm ishin gjithashtu edhe katër ipeshkvinj:  Mons. Zef Gashi, arqipeshkvi i Tivarit, i cili e udhëhoqi kremtimin eukaristik; mons. Ilija Janjiq, ipeshkvi i Kotorit; mons. Dodë Gjergji, ipeshkvi i Kosovës; mons Lucjan Avgustini, ipeshkvi i Sapës, një numër i madh meshtarësh, rregulltarësh si dhe besimtarë e mysafirë të tjerë.

Përmes një programi të pranishmit patën mundësinë të shijojnë fillimin e kësaj vepre të Hyjit gjatë këtyre 50 viteve. Të pranishmëve iu drejtua edhe eprorja provinciale, m. Lidia Kqira. Ajo theksoi se “50 vite nuk janë vetëm e kaluara dhe dita e përvjetorit, përshkrim i saktë i datëlindjes së pesëdhjetë të Provincës, por në të janë të vulosur shpirti dhe zemra, ngjarjet dhe ndodhitë, emrat dhe numrat; në të flet historia e të sotmes përmes fjalëve dhe jetës së motrave të para dhe të të gjitha neve që i kemi trashëguar. Dashuria është ajo që e ka shkruar historinë e Provincës. Dashuria ka vulosur një periudhë të tërë dhe këtë vend”.

Këtë gjë e nënvizoi edhe mons. Gashi gjatë predikimi të tij. “Motrat – tha ai – kanë dhënë dëshmi të jashtëzakonshme feje dhe humanizmi në këto treva ndaj të gjithë njerëzve pa marrë parasysh përkatësinë e fesë dhe kombësisë, e kjo kontribon në krijimin e një atmosfere të bashkëjetesës mes njerëzve, fëmijëve të Hyjit”.

Pas Meshës Shenjte festa vazhdoi në restorant “Konak”  me drekën vëllazërore.

Ky kremtim ishte për ne mundësi që me falënderim të shikojmë hiret e pranuara gjatë pesëdhjetë viteve dhe me fe më të gjallë të drejtojmë shikimin kah e ardhmja. Nëse jemi ende këtu është shenjë se Hyji na fton që akoma të duam dhe të dhurohemi në këtë vend.