Tuesday, May 7, 2024
Aktivitete

Seminari në Shkodër

Më 10 dhjetor 2018, në Shkodër, u mbajt seminari me temë “Përgjegjësia dhe bashkëpërgjegjësia në jetën rregulltare”. Në takim morën pjesë rreth 30 motra nga Shqipëria dhe disa nga Mali i Zi. Seminarin e mbajti don Leonardo Falco, rektor i Seminarit Kombëtar “Zoja e Këshillit të Mirë”.

Don Leonardo është gjithashtu edhe shoqërues shpirtëror i shumë motrave tona, por mund të themi edhe mik i Provincës sonë. Ai është i gatshëm gjithmonë si për takime, ushtrime shpirtërore, për këshilla, jo vetëm me motrat që i shoqëron, por edhe me motrat tjera kur ia kërkojnë.

Në takim, ai ndërthuri pjekurinë personale me atë shpirtërore, ku vendosi theksin mbi dy fuqitë motivuese që drejtojnë qëndrimet dhe sjelljet e një personi. Pra, nevojat dhe vlerat. Pikënisja e gjithë argumenteve ishte baza njerëzore dhe Urtia Biblike. Takimi ishte shumë i pasur nga paraqitja, puna në grupe dhe bashkëndarja e motrave.

Dhashtë Zoti që reflektimet dhe takimet tona të sjellin fryte të bollshme si për pjekurinë tonë personale dhe marrëdhëniet tona bashkëmotrore, ashtu edhe për ndihmën e personave, të cilët i takojmë dhe për shpalljen e Lajmit të gëzueshëm në të gjitha misionet ku jemi të pranishme dhe ku Kisha universale ka nevojë.