Sunday, May 19, 2024
Aktivitete

SHËN FRANÇESKU I ASIZIT – JETA, THIRRJA DHE DËRGIMI

Nga data 11 deri më 13 tetor u mbajt në Bashkësinë e motrave në Hot të Ri, Seminari për Eprore dhe Edukatore me temë: “Shën Françesku i Asizit – jeta, thirrja dhe dërgimi”.

Ndërsa më 14 tetor, u mbajt seminari në Cetinje për të gjitha motrat e Provincës.

Seminaret i udhëhoqi m. Ivanka Mihajlović, një nga motrat e Kongregatës së lindur nga Kongregata jonë, dhe që e nderojmë të njëjtën Themeluese: Nënën Franciska.

m. Ivanka, duke shprehur kënaqësinë që gjendej mes nesh, bëri një shtjellim të thellë të jetës së Françeskut dhe ngjashmërisë së tij me Krishtin. Ligjëratat ishin intensive gjatë tri ditëve, por po sjellim vetëm disa shprehje nga ato që motër Ivanka me shumë kompetencë dhe ëmbëlsi njëkohësisht, transmetoi tek ne të pranishmet.

“Përshpirtëria Françeskane vendos Krishtin në qendër. Të ndjekim Jezusin nëpërmjet Françeskut dhe Kushtetutës sonë. Françesku e ka ndier praninë e Krishtit në jetën e tij, prandaj ka qenë një dëshmitar i besueshëm. Meqë ishte i përvujtë dhe i vogël, ka arritur të jetë një shenjt i madh. Për këtë arsye edhe Nëna Franciska kërkon prej nesh: të jemi të vogla dhe të përvujta.

Janë tre momente të rëndësishme të jetës së Françeskut: shën Damjani, Porciunkula dhe Laverna.

Në Shën Damjani Françesku pyet para kryqit: o Zot, çka dëshiron që unë të bëj?

Ta pyesim edhe ne veten: çka kërkojmë, çka dëshirojmë ne sot si françeskane?

Françesku e arriti kthimin duke dëgjuar çdo ditë fjalën e Zotit. Ai na mëson që edhe ne mund ta arrijmë kthimin nëpërmjet tri kushteve:

Varfëria: nuk qëndron nëse kam apo jo gjëra materiale; varfëria e vërtetë qëndron në të qënurit i përvujtë dhe i gatshëm për të kryer vullnetin e Zotit.

Pastërtia: të zbrazësh zemrën nga fyerjet dhe gjërat që na pengojnë dhe të lejosh që Fjala e Hyjit ta mbush atë.

Dëgjesa: nuk është vetëm pranimi i transferimeve nga një vend në tjetrin, por qëndrimi im ndaj bashkësisë dhe marëdhënia me bashkësinë. Sa jam e ndjeshme ndaj nevojave të të tjerëve.

Të kemi kujdes se me çfarë e ushqejmë shpirtin. Para se t’u flasim njerëzve për Zotin, të flasim me Zotin e kështu mund të jemi dëshmitare ashtu si na mëson shën Françesku ˮ.

I jemi mirënjohëse m. Ivanka për këto ligjërata shumë të pasura mbi kthimin e Françeskut dhe ngjashmërinë e tij me Krishtin dhe lutemi që së bashku me të dhe motrat e saj, të arrijmë te Krishti nëpërjet Françeskut.