Sunday, May 19, 2024
Aktivitete

“Mos e thashtë Zoti që të mburrem me ndonjë gjë tjetër përveç me kryqin e Zotit tonë Jezu Krishtit!”

Me datën 9 dhjetor 2019, ndërsa mbarë Kisha po kremtonte Zojën e Papërlyer e ne Pajtoren e Kongregatës sonë, me gëzim të madh pranuam në postulat Kandidaten tonë Gabriella Kqira. Pranimi u bë nga Provincialja m. Lidia, gjatë Meshës së Shenjtë të Kremtuar në Kapelën e Bashkësisë së motrave në Shkodër nga Atë Aurel Gjerkaj, Kustod i Fretërve Minorë në Shqipëri e Mal të Zi. Në këtë kremtim ishin bashkuar edhe motrat e bashkësisë së Hotit të Ri.

Gabriella e lindur në Serbicë të Epër, Velezhë, më 22 shtator 1995, më e vogla ndër 5 fëmijët e familjes, ka hyrë në kuvend në shtator të vitit 2013. Pasi që këtë vit përfundoi Masterin në Shkencat Historike, ajo bëri lutjen që të vazhdonte më tej në jetën rregulltare. Lutje e cila u pranua me kënaqësi.

Gjatë homelisë me këtë rast, Atë Aureli ndër të tjera theksoi: “Festa e Zojës së Papërlyer prek dy realitete: realitetin e Adamit dhe Evës – mëkatin; dhe realitetin e Marisë – Shëlbimin. Kwto dy realitete, vazhdoi ai, janë të pranishme në jetën tonë”. Pastaj ju drejtua postulantes Gabriella me këto fjalë: “Me hyrjen në postulat, ti bën një hap më afër në bashkësinë e motrave. Lërw gjithçka në dorë të Zotit, si Maria. Prano me forcën e fesë gjithçka që jeta sjellë, duke dhënë Po në gjërat e përditshme”.

Ndërsa Provincialja m. Lidia, në përshëndetjen e saj tha: “Falënderoj Hyjin për jetën e Gabriellës, për dhuratën e thirrjes së saj që iu bashkangjit Kongregatës sonë, që të jetojë në përshpirtërinë françeskane dhe të themelueses sonë Nënës Franciska. Falënderoj prindërit e tu në mënyrë të veçantë nënën e cila është shumë e dvotshme ndaj Zojës së Bekuar.

Gatishmëria e Marisë qëndroftë gjithmonë në zemrën tënde. Zoja e Papërlyer qoftë modeli i jetës tënde”.

Postulantja Gabriella iu dorëzua Mësueses së saj, m. Marijana Merdita.

Mbas kremtimit të Euharistisë, u shtrua darka e përbashkët, vëllazërore dhe e përzemërt.