Saturday, May 18, 2024
Aktivitete

Ushtrime Shpirtërore - Korrik, 2020

Ne motrat çdo vit kemi mundësinë për ushtrime shpirtërore e kjo me të vërtetë është një dhuratë e veçantë për ne, sepse mund të jetojmë më thellë jetën tonë me Zotin, mund të shohim shumë aspekte ose pika të jetës sonë/ecjes sonë, qoftë në dimensionin personal, qoftë në lidhje me bashkësinë por edhe me misionin.

Kështu, edhe këtë vit ia arritëm të realizojmë një nga turnuset e planifikuara për vitin 2020 .

Ushtrimet shpirtërore u mbajtën me datën, 29.06-07.07.2020, në Shkodër nga P. Prelë Syla me motrat e ardhura nga Kosova dhe ato që janë në Shqipëri. Motrat nga Mali i Zi, që ishin vetëpërcaktuar për ketë radhë ushtrimesh, në pamundësi për të ardhur në Shqipëri për arsye të kufirit të mbyllur Mal i Zi – Shqipëri, janë mbledhur në bashkësinë e Cetinjes dhe nga atje i kanë nisur dhe ndjekur ushtrimet online.

Në ushtrimet shpirtërore, kemi udhëtuar nëpër Ungjillin e Gjonit nga kap. 1-4 duke medituar për zbulimin që na bën kjo Fjalë e Zotit.

1- Jezusi gjithmonë zbulohet në Trininë e Shenjtë përmes marrëdhënies së dashurisë që është mes tyre, që shfaqet në krijim dhe në veprim, dashuri të cilën Jezusi na e zbulon dhe dëshiron të na bëjë pjesë të saj.

2 – Adhurimi është themel i jetës tonë. Atë që adhuron, bëhesh si Ai. Gjithë jeta jonë varet nga çfarë ne adhurojmë.

3 – Personazhet e këtij Ungjilli, Gjon Pagëzuesi, Maria, Shërbëtorët në dasmën e Kanës, Nikodemi, Samaritanja …në takim me Jezusin, kuptojnë misionin e tyre, veprojnë në përputhje me këtë mision dhe tërhiqen pa u ndjerë. Kjo është ajo çfarë bëhet model për ne: takimi me Jezusin, zbulimi i asaj çfarë jemi nga ky takim dhe vazhdimi i të jetuarit me Zotin nga tani duke ecur me Fjalën e Zotit. Duhet të ecim me Shkrimin Shenjt!

E falënderojmë Zotin për këtë kohë të ushtrimeve shpirtërore, për çdo hir që kemi marrë, e falënderojmë edhe P. Prelën dhe i lutemi Zotit që ta bekojë dhe ta ruajë në jetën dhe shërbimin e tij.