Friday, November 22, 2024
Aktivitete

“Mos e thashtë Zoti që të mburrem me ndonjë gjë tjetër përveç me kryqin e Zotit tonë Jezu Krishtit!”

 

Me datën 2 shkurt 2021, në festën e Kushtimit të Zotit në Tempull, në Kapelën e bashkësisë së Motrave në Shkodër, u pranua në postulat kandidatja jonë e dashur Ardiana Nrekaj. Pranimi u bë nga Provincialja m. Lidia, gjatë Meshës së Shenjtë të cilën e udhëhoqi Atë Aurel Gjerkaj, ofm. Në këtë kremtim morën pjesë edhe motrat e bashkësisë së Hotit të Ri.

Ardiana e lindur në Dol, Pjetërshan, më 6 mars 1995, ka hyrë në kuvend në qershor të vitit 2014. Aktualisht ndjekë vitin e tretë të infermierisë në Shkodër.

Gjatë homelisë me këtë rast, Atë Aureli ndër të tjera theksoi: “Të japim dëshminë e jetës e të jemi të qëndrueshëm në jetën shpirtërore. Ana e Simoni kanë pritur një jetë të tërë për ta parë të premtuarin e Hyjit. T’i mbajmë veshët e hapur për çfarë Zoti na flet edhe neve”.

Ndërsa Provincialja m. Lidia, në përshëndetjen e saj tha: “Falënderoj Hyjin për jetën e Ardianës e cila zgjodhi që të jetojë në përshpirtërinë françeskane dhe të themelueses sonë Nënës Franciska. Bashkësia jonë e pranon si një dhuratë të çmueshme në ecjen e përbashkët pas Krishtit. Falënderoj prindërit që e kanë edukuar në fe dhe edukatoret që e kanë ndihmuar në forcimin e thirrjes.

E dashur Ardianë, Hyji që një herë ka hyrë në jetën tënde, do t’i tregojë hap pas hapi planet e tija për ty; do t’i paraqesë pak nga pak kërkesat e reja. Të përgëzoj për gatishmëinë dhe zellin për ta ndjekur Krishtin në këtë provincë. Hyji të dhuroftë dritën e shëlbimit që t’i qëndrosh gjithmonë besnike si Maria dhe me Marinë”.

Postulantja Ardiana iu dorëzua Mësueses së saj, m. Marijana Merdita.

Mbas kremtimit të Euharistisë, u shtrua darka e përbashkët, vëllazërore dhe e përzemërt.