Saturday, May 18, 2024
Aktivitete

Gëzuar Ditëlindjen 85

Ditën e prëmte më 26 shkurt 2021, në Shtëpinë provinciale në Cetinje, me gëzim të madh festuam 85 vjetorin e lindjes së Motrës sonë Serafina Šmirmaul.

Të gjitha ne kemi një dashuri të vecantë për motër Serafina e cila përveç se është një shembull i personit të kushtuar që lutet shumë dhe di të bëjë shumë sakrificë, ajo ka qenë për 30 vite mësuese e noviceve, pra është mësuesja e shumë motrave të Provincës.

Për këtë kremtim erdhi Arqipeshkvi i vendit Imzot Rrok Gjonlleshaj ndërsa ishte i pranishëm edhe Arqipeshkvi emerit Imzot Zef Gashi. Gjithashtu erdhën për këtë rast edhe disa nga motrat e Provincës, por në numër të kufizuar për shkak të rregullave në luftën kundër Covid-19. Për të gjithë u shtrua dreka e përbashkët.

Motër Serafina e cila për momentin nuk është shumë mirë me shëndet, nuk mundi të zbriste në sallën e ngrënies, por të gjithë: ipeshkëvinjtë, provincialja dhe motrat shkuan në dhomën e saj ku i sollën tortën, i bënë urime dhe i kënduan këngë. Motër Serafina dukej shumë e lumtur dhe falënderonte të gjithë për gëzimin dhe urimet që i shprehnin.

Mbas dite u kremtua Mesha e falënderimit Zotit për jetën e motër Serafinës dhe të dhurimit të saj në Provincën tonë. Duke mbajtur fjalën përshëndetëse për këtë rast, Eprorja provinciale, m. Lidia, mes të tjerash i tha: “E dashur m. Serafina, Maestra jonë e çmuar, ndërsa të uroj edhe në emër të të gjitha motrave të Provincës, Gëzuar 85 vjetorin e lindjes, dëshiroj të falënderoj Zotin për gjithçka që ai na ka dhënë përmes jush, për ecjen tuaj në vogëlsi dhe thjeshtësi në Provincën tonë. Faleminderit për praninë tuaj midis nesh, për besimin tuaj, lutjet tuaja, për zellin tuaj dhe për punën tuaj, për energjinë dhe rininë e shpirtit, e cila është një shembull për secilën prej nesh. Zoti ju dhëntë shëndet të mirë, qetësi dhe virtyte që të jeni një pjesë e gëzimit, buzëqeshjes dhe lutjes në Provincën tonë për një kohë të gjatë. Jeta juaj është një jetë e kënduar MAGNIFICAT në përjetësi, prandaj: nga zemra FALEMINDERIT!”.

Vazhdojmë ta falënderojmë motër Serafinën për detyrën e saj në formim të kryer me përgjegjësi të madhe, dhe lutemi për shëndetin e saj.