Thursday, November 21, 2024
Aktivitete

“TË MJAFTON HIRI IM, SEPSE FUQIA PËRSOSET NË LIGËSHTI” (2 KOR 12, 9)

USHTRIMET SHPIRTËRORE

SHKODËR, 30.06.2021 – 07.07.2021

D VITOR POTAJ

“TË MJAFTON HIRI IM, SEPSE FUQIA PËRSOSET NË LIGËSHTI” (2 Kor 12, 9)

Qëllimi i Trefishtë i Ushtrimeve:

  1. Së pari, përvoja e Palit të jetë tipi apo modeli që mundëson tek ne udhëtimin drejt brendësisë, jo edhe aq i lehtë por krejt i mundshëm dhe më se i nevojshëm që t’i japim një përgjigje planit të Zotit. Çdo zbritje dhe eksplorim në brendësinë tonë është një derë hyrjeje në thirrjen që Zoti na drejton dhe në të njëjtën kohë edhe faqja tjetër e njohjes tonë të Hyjit.
  2. Së dyti, synimi kryesor është që jeta e një pjestareje të këtij Urdhëri të bëhët një ekzistencë e dhuruar, e matshme jo për aq sa bëjmë, por për aq sa duam/dhurohemi në tërësinë dhe përditshmërinë tonë të bashkësisë. Ju jeni të thirrura jo në dashuri por në pjekurinë e dashurisë, prandaj e theksoj se për një dashuri të pjekur është e domosdoshme të bëhën zgjedhje të përditshme në favor të së vërtetës. Është pikërisht ky objektivi i drejtëpërdrejtë, mund të themi, i këtyre ushtrimeve.
  3. Së treti, Synimi është arritja e dy objektivave të lartpërmendura, por nuk ka udhëtim drejt brendësisë e as zgjedhje në favor të së vërtetës nëse para së gjithash (aq me tepër kur flasim edhe për hirin) nuk prekemi nga hiri. Kjo do të thotë as më pak e as më shumë veçse t’i bësh hapsirë hirit që vjen me anë të shtjellimit të Fjalës së Hyjit.

Për t’i bërë vend hirit sigurishtë se nuk do të mjaftojë leximi e reflektimi por do na duhet edhe ‘shpirti lutës’ i cili fitohet dhe arrihet vetëm me vetëdijen e thellë se ne s’dimë të lutemi. Lutja është dhuratë prej së larti. Pasi të jemi të vetëdijshëm mbi dobësinë tonë dhe të thërrasim ndihmën e Shpirtit në dobësinë tonë, duhet të disponojmë inteligjencën apo ta vëmë atë në dispozicion të lutjes me gjithçka që Fjala në tekste dhe ligjerata na nxit.

Është vazhduar me një ecje të përshkallëzuar duke u nisur nga Shën Pali për të hyrë në vetvete me Hirin e Zotit e për ta lejuar atë të veprojë në ne.

Kështu kemi njohur:

  1. Textus (lectio) dhe con-textus i 2 Kor 12, 7-10
  2. Aspekte të teologjisë së hirit.
  3. Një dashurie cilësore në bashkësi
  4. Vetëvlerësimi dhe Përvujtëria
  5. Përcaktimi i shërimit të brendshëm dhe sëmundjet për t’u shëruar
  6. T’i lëshohesh (braktisësh) “Fjalës së hirit” (Vap 20, 32)
  • Kthen paqen dhe i bën hapsirë Provanisë
  • Shmang ankthin djallëzor për të mirën
  • Rikthen pedagogjinë e të Ringjallurit në raporte

Ka përfunduar me këshillën që Pali i jep Timoteut në 2 Tim 2, 25-26 duke e ripërtërirë besimin tonë në Hirin e Shpirtit Shenjt që e bën njëriun të hyjë në vetvete por edhe ‘besimin tonë në lirinë e tjetrit’

Dhe pastaj të gjithë së bashku kemi bërë këtë lutje:

 Lutje e Amboise de Lombez

“O Hyj i mirë, mbretëria e të cilit në ne është e gjitha dashuri dhe paqe,

krijoje Ti vetë në shpirtin tonë atë qetësi dhe heshtje

e cila është e domosdoshme që ne, të zhytur në të, të mund të të dhurohemi ty.

Veprimi i qetë, dëshira pa pasion të turbullt, zelli pa shqetësim:

e gjitha kjo nuk mund të vijë përveçse prej Teje,

o Urti e përjetshme, veprimtari e pafund, pushim i patjetërsueshëm,

fillim dhe model i paqes së vërtetë.

Ti na e ke premtuar këtë paqe me gojën e profetëve,

na e ke sjellë përmes Jezu Krishtit,

dhe për të na e ke dhënë garancinë e Shpirtit tënd.

Mos lejo që smira e armikut, turbullira e pasioneve dhe skrupujt e ndërgjegjes,

të na bëjnë të humbim këtë dhuratë qiellore,

që është peng i dashurisë sate,

objekt i premtimeve të tua

dhe çmimi i gjakut të Birit tënd”