Monday, May 6, 2024
Aktivitete

Kapitulli me Dyer të Hapura

         

Zoti m’i dhuroi vëllezërit!

            Një ndër takimet më të rëndësishme të Provincës sonë është Kapitulli me dyert të hapura i cili mbahet njëherë në vit. Këtë vit u mbajt më 23 Prill, në Kuvendin tonë në Lezhë, me temë: “Kuptimi i disiplinës në jetën e përbashkët për një dëshmi besnike”. Në këtë takim morën pjesë shumë motra nga Mali i Zi, nga Kosova dhe nga Shqipëria. Disa motra që shërbejnë nëpër misione, morën pjesë online nëpërmjet programit zoom.

Relatori, Atë Aurel Gjerkaj, i cili bazuar në dokumentet e Kishës, veçoi disa pika të rëndësishme që na ndihmojnë në rritjen shpirtërore dhe bashkësiore për një dëshmi të shenjtë e të denjë aty ku Zoti na ka vendosur për të shërbyer. 

Disiplina është ecje, thellim dhe rregullsi që ndihmon për t’u rritur në atë që vetë kemi zgjedhur për të dëshmuar, Krishtin e Ngjallur i cili “mësoi të jetë i dëgjueshëm ndaj Atit…”. Prandaj ne, tek Ai shohim dhe ndjekim gjurmët e disiplinës për dëshminë e jetës së përbashkët. 

Falënderojmë Zotin që herë pas here dhe në mënyra të ndryshme na flet për të jetuar të lumtur me Të. Veçanërisht në këtë vit të veçantë për ne që në muajin qershor do të kremtojmë  Kapitullin XIX Provincial, moment Hiri.

Pas ligjëratave dhe Kremtimit eukaristik, patëm drekën e përbashkët të përgatitur me shumë kujdes dhe dashuri nga motrat e bashkësisë në Lezhë.

Në përfundim të këtij takimi, u mblodhëm në plenum, ku m. Lidia paraqiti një pjesë programit të realizuar në Provincë për këto katër vite, falënderoi motrat e Provincës për çdo shërbim që kryhet kudo që jemi të pranishme, parashtroi disa pika ku duhet të fokusohemi më shumë në të ardhmen si dhe i ftoi motrat të japin propozimet e tyre për një organizim më të mirë të jetës së përbashkët, për një mision më të frytshëm në Kishë. Me këto ndjenja falënderimi dhe shprese, u mbyll Kapitulli me Dyer të Hapura.

Qoftë Zoti udhëheqës i shpirtit, trupit dhe veprimtarisë tonë kudo që të jemi si një dhuratë në Kishën i Tij.