Saturday, November 23, 2024
Aktivitete

Historia e thirrjes sime - dhuratë e hirit të Hyjit

Rrugët e tua o Zot, janë të pakuptueshme, por atë që e premton Ti, e realizon në kohën e duhur. Të mendosh dhe të shkruash mbi jetën tënde është sikur të futesh në një dhomë që e ka ndriçuar vetëm “rrezja e diellit’’, të shohësh dhe të prekësh ato gjëra që i ke patur në duar, t’i lësh në vendin e vet e t’i marrësh kur të duash të të shërbejnë. Si mund ta kërkoj burimin dhe kohën, pasi mendimi yt o Zot për mua e tejkalon kohën e lindjes dhe të ardhjes në jetë të qënies sime. Megjithatë, çdo fëmijë që lind dhe rritet në një familje, bart me vete ato gjurmë, zakone, dëshira të veçanta të vetë familjes e pse jo edhe qëndrimet si rrethi social. Jam lindur në një fshat të thellë malor, në Vukel të Kelmendit, Malësi e Madhe, në pjesën më veriore të Shqipërisë, në një familje të pastër të krishterë, të pajisur me zakone e tradita të bukura, që edhe sot krenohem për të kaluarën që po largohet çdo ditë nga sytë e mi. Shtëpia jonë ka qenë vatër e hapur mikpritëse për njerëzit e fesë, pasi që në zonën tonë kanë shërbyer historikish fretërit dhe familja ka patur marrëdhënie shumë të mira me ta. Familja ime përbëhet nga prindërit dhe 6 fëmijë. Unë jam e treta në radhë (4 motra dhe 2 vëllezër). Në moshën 7 vjeçare, për arsye ekonomike, familja ime u shpërngul nga krahina malore në një fshat fushor afër liqenit të Shkodrës, në fshatin Kamicë. Sot i përket famullisë së Koplikut të rrethit Malësi e Madhe. Edhe pse e vogël mbaj mend ato momente të ndarjes së prindërve të mi nga bashkëfshatrët e asaj kohe, mallin, lotët e tyre, dhimbjen e ndarjes. Largohemi nga vendlindja me shpresë për një jetë më të mirë. Kam mbaruar shkollën 8 vjeçare në 1986, vit në të cilin regjimi komunist në Shqipëri mbante me kthetrat e veta nën diktaturë një popull të tërë.

Nuk desha të bëj një autobiografi të jetës sime, por dua të shpreh se qysh në atë kohë, edhe pse në mënyrë të pavetëdijshme diçka e bukur dhe e mirë ishte mbjellë në qënien time fëminore. Më mbeten në kujtesë kur prindërit për hallet dhe nevojat e tyre familjare ofshanin dhe lutnin, vënin në duart e Zotit shqetësimin e tyre. Në kohën e festave të mëdha, mundoheshin të na gëzonin me ndonjë ushqim pak më të mirë se e zakonshmja si dhe duke na treguar domethënien ose ndonjë histori rreth festës. Emocione të veçanta kam patur gjithmonë kur dëgjonim Radio vatikanin në gjuhën shqipe (gjysmë ore gjatë dimrit) në mënyrë të fshehtë mbyllnim derën që të mos vinte kush, u mblidhnim si zogjtë rreth kloçkës duke dëgjuar e lutur ashtu siç dinim, por duhej shumë kujdes duke e mbajtur sekret. Shpesh babai me nostalgji na tregonte për kohët e kaluara, për kujtimet e fëmijërise e në mënyrë të veçantë për përvojën, fjalët, këshillat që ia kishte dhënë patër Robert Ashta, (një ndër katër ipeshkvinjtë që u shugurua pas komunizmit në vitin 1993), i cili i kishte shërbyer asaj zone një jetë të tërë. Ndër të tjera tregonte se ai kishte qenë xhakon (ministrant), i ka ndihmuar në punët e tij dhe mbante fare mirë në mend lutjet, meshën dhe rruzaren latinisht (as sot nuk i ka harruar disa uratë). Në moshën 12-13 vjeçare e kam pyetur unë: A kanë ekzistuar femrat që janë marrë me “punët e Zotit” dhe me shërbim në Kishë? Ai më është përgjigjur – Po, por nuk kishin patur në ato zona bashkësi rregulltare, por vajza të pamaruara që kishin shërbyer tek qela dhe kishin ndihmuar fratin. Mendoj se ajo pyetje ka qenë një pikë uji e rënë në farën e mbjellë. Vitet kaluan dhe unë vazhdova shkollën e mesme duke jetuar si konviktore. Vajzat e ndryshme që ishin aty kujtonin dhe lutnin uratët e vjetra në formë vjershash që ua kishin mësuar prindërit dhe gjyshet e tyre. E veçantë për ne ka qenë nata shën Nikollës që e festonim në dhomën në mënyrë të fshehtë në konvikt. Kur mbarova shkollën e mesme, dëshiroja të vazhdoja shkollën e lartë. Të mos harrojmë se ishte tepër e vështirë edhe nga ana ekonomke, por sidomos për një mbështetje, sepse duhej të largoheshe nga shtëpia e të jetoje në konvikt e ishin vitet e lëvizjes studentore e të tranzicionit 90-91. Më në fund arrita të regjistrohesha në degën bio-kimi. Dhashë provimin në lëndën e biologjisë dhe fitova. Kur shkova të marr përgjigjen për kimi, për shkak të trazirave një pjesë e dokumentetave u dogjën, e me to edhe ajo ëndërr.

Pak nga pak filloi të lindte jeta fetare. Turma të mëdha njerëzish nga fshatra të ndryshëm ngarendnin nga të katër anët për të parë meshë e për të marrë sakramentet, sidomos pagëzim e rrëfim. Unë e kisha kishën larg (ish hangar, sallë ku vendosej duhani) rreth 2 orë në këmbë, por mezi prisnim të vinte e diela që të shkonim në kishë. Shpesh mesha fillonte e mbarone e unë nuk arrija ta dalloja meshtarin e jo më të afroheshim tek elteri për arsye të masës së popullit. Në vitin 92 erdhën në famulli motrat Françeskane Misionare të Krishtit Fëmijë nga Italia. I gjithë populli i admironte. Pas 5-6 muajsh filluan disa vajza të shprehnin dëshirën të bëheshin motra, Kisha dëshirë të dija për mënyrën e të jetuarit të tyre dhe një ditë iu afrova nje kandidateje të flisja me të. Ajo u largua me të shpejtë duke më thënë: – Nuk kam kohë të flas, më duhet të iki, se më pret superiorja…Nga intuita e kuptova se çfarë donte të thoshte fjala “superiore”, kështu që nuk iu afrova më asnjëherë për asnjë sqarim. Kishin filluar pagëzime në masë dhe jeta fetar kishte filluar të merrte krahë. Edhe ne në famije ishim të papagëzuar. Unë dëshiroja të pagëzohesha për arsye se shihja të tjerët. Një ditë e pyeta babin, “Po ne kur do të pagëzohemi? – Prit- më tha, akoma nuk ka ardhe koha, feja është duke u hapur e jo duke u mbyllur”. Nga fundi i vitit 92 kam shkuar në kishë rregullisht dhe kam lutur Zotin se çfarë të zgjedh në jetë. Lexoja shpesh pjesë nga Besëlidhja e re dhe ndieja në zemër shumë kënaqësi. Kur isha në kishë, mendimi për t’u kushtuar, për t’u bërë motër, më pëlqente shumë. Por, kur qëndroja në shtëpi gjatë javës m’u zbehte pa masë. Më është dukur sikur po kaloja një periudhë të vështirë, pa rrugëzgjidhje e kjo ka zgjatur deri në shfaqjen e mendimit në familje. Në fakt prindërit nuk ma miratuan menjëherë, as nuk më refuzuan. Gjithmonë më thonin që të mos ngutesha në vendime të tilla, sepse janë për të gjthë jetën. Jeta atje nuk është e lehtë, por është e shenjtë. Babi ia ka treguar gjyshit tim këtë dëshirë timen dhe ai i ka përgjigjë “Për hatër të Zoti, bir, mos ia ndal atë dëshirë vajzës, pasi Zoti e ka thirrë, (beriqavers)- Faleminderit Zotit. Dhe lotët i kanë rënë në tokë plakut 94 vjeçar. Një përjetim të veçantë e kam edhe nga gjyshja ime (nga nëna) ka qenë grua shumë e përshpirtshme dhe bujare. Kur më takonte fliste për Zotin dhe thoshte. – “Gjithçka i kam lypur Zotit më ka dhënë, Zoja e bekuar ka qenë ndihmëse shumë e madhe”, ndërsa tregonte përvojat e saj të jetës. – Mos ki frikë, mbështetju Zojës së Bekuar se ajo nuk të lë askurrë, dhe çkado të vogël që të bësh për hatër të Zotit, ai ta shpërblen, nuk ta harron’’.

Nga fillimi i vitit 93 babai e ka takuar p. Robertin në Bajzë dhe i ka treguar adresën ku jeton bashkësia e motrave, ka qenë fillimi i shkurtit  dhe bashkë me tim atë shkova në Shkodër në një takim me p. Lorencin, me m. Marie e m. Marjanë. Unë shpreha dëshirën atyre, por akoma nuk isha e pagëzuar. Motrat më dhënë disa libra që t’i lexoja e të njihja më shumë për kuptimin e sakramenteve. Lamë një takim tjetër nëse unë do të dëshiroja përsëri. Në takim me motrat, më propozuan edhe rreguj të tjerë motrash, por unë jo vetëm që nuk i njihja, por as që dëshiroja. Më mbeti në mendje buzëqesha dhe zgjuarsia e m Mari. U ktheva në shtëpi dhe i mësova ato lutje shumë shpejt me një zjarr të ri dashurie. Kur erdhi koha e caktuar do të bëhej takimi i radhës në Shkodër. Pasi bisedova përsëri me motrat, ato më thanë. – Nëse ti ke dëshirë, po sikur ne të të mbjamë që sot, a do të pranoje? Unë me plot emocione e pranova ftesën dhe pohova – PO.

Tani fara shpërtheu dhe sythe e para dolën mbi sipëfaqen e tokës. Ishte ditë e bukur pranvere, e hënë 17 maj e vitit 1993 e pse jo të ishte edhe një koencidencë. Ishte ditëlindja ime. Mbusha 21 vjeç dhe vendosa të kushtohesha Zotit në bashkësinë e Motrave Françeskane të Zojës së Papërlyer. Kaloi koha e kandidaturës, noviciatit, juniorati dhe tanë janë mbushur 30 vjet nga ajo kohë. … e  ç’farë rëndësie kanë orvatjet e njeriut, përpjekjet, synimet po qe se Zoti nuk e drejton historinë e njeriut? Po, vërtet Ai është Zoti i historisë së njeriut që shkruan në faqet e çdo libri, mes kohërave, sistemeve, ndryshimeve sociale e politike. E historia jonë personale është e shkruar bukur nëse dimë t’i shërbejmë jetës, t’i buzëqeshim e t’i ofrtojmë diçka nga shpirti ynë,  njeriut që jeta na e ofron gjatë udhëtimit tokësor, duke qenë të vetëdijshme se jetojmë me atë shikim që e shkruan historinë e Tij brenda historisë sonë. Ai shkruan atë që do, mjafton që unë ta mbaj të hapur librin e jetës sime, të këndoj me gjuhën e zemrës çdo ditë e moment. Ti më thirre o Zot, e zemra ime gjen paqë vetëm në ty. Amen

                                                                                                   Motër Lirije Nilaj