Monday, May 6, 2024
Aktivitete

Bekimi dhe hapja e Shtëpisë së re për të moshuarit "Nëna Pija"

Petrovac, më 17 qershor 2023

“Sa të mrekullueshme janë veprat e tua, o Zot…!” (Ps 92, 6)

Hapja e shtëpisë së re të të moshuarve dhe të sëmurëve “Nëna Pija” në Petrovac mblodhi shumë motra nga Sllovenia, Kroacia, Mali i Zi, Kosova dhe Shqipëria, ku në Petrovac kaluan jo pak motra të Provincës sonë. Në këtë gëzim për ne motrat dhe misionin tonë kishte të ftuar shumë miq, bamirës dhe përfaqësues të autoriteteve civile, lokale të komunës së Budvës si dhe përfaqësues të organizatave sociale dhe joqeveritare.

Ishte një ditë feste, plot bekim edhe nga ana e kohës/motit, shiu nuk ndaloi gjatë gjithë ditës.  Fëmijët nga shkolla 9 – vjeçare në Petrovac ofruan një program dhe performancë të mrekullueshme. Kremtimi i Meshës së Shenjtë u bë brenda shtëpisë së të moshuarve, ku e udhëhoqi Ipeshkvi në Pension i Kotorrit, Mons. Ilija Janjiq në bashkëcelebrim me Ipeshkvin në Pension të Tivarit Mons. Zef Gashi dhe meshtarë të Dioqezës së Kotorrit.

Predikimin në këtë Meshë të Shenjtë e bëri Don Filip, famullitar i Petrovacit për më shumë se 30 vjet. Ai inkurajoi motrat në misionin e tyre në shërbim të më të pafuqishëmve. Në homelinë e tij Don Filipi u shpreh se sot është një mundësi për të ndërgjegjësuar vetën për vlerën dhe nevojën e lutjes. Poashtu theksoi edhe disa nga karakteristikat e Motrës Pija, emrin e të cilës ka edhe vetë shtëpia e të moshuarve në Petrovac. Ai tha: ajo ishte e përvuajtë, e thjeshtë, e ndershme dhe e butë. Ajo nuk kishte nevojë për talent të veçantë për të kuptuar menjëherë se jeta është i vetmi libër që nuk mund të lexohet për herë të dytë, kështu që shumë shpejt ajo krijoi një plan për ta mbushur jetën e saj me mirësi dhe fisnikëri, humanizëm dhe altruizëm. Dhe ne ishim dëshmitarë se ky plan u realizua plotësisht dhe u realizua në moshën e saj të vjetër 88-vjeçare, prej të cilave 68-vjeçare në rregulltari. Prandaj i detyrohemi asaj sot t’i shprehim mirënjohjen tonë për sakrificën, e veçanërisht duhet ta njohim Zotin e kësaj vepre të shenjtë pikërisht këtu në Petrovac, në zonën e Dioqezës së Kotorrit edhe në ditët tona. Meshën e animuan kori i famullisë së Shën Mateut me në krye Don Ante.

Në fjalën përshëndetëse M. Ollga Dulaj, Eprore Provinciale e Motrave Françeskne të Zojës së Papërlyer e Provincës së Malit të Zi tha: Në këtë komunitet, në punën me të moshuarit dhe të pafuqishmit, çdo shërbim, gëzim, shtrëngim duarsh, buzëqeshje…sakrificë, veçanërisht ajo në vetëmohimin dhe fshehtësinë e zemrës, është një gur i çmuar në ndërtimin e një mozaiku bashkimi me Zotin dhe me njëri-tjetrin. Me këtë rast, M. Ollga përshëndeti dhe uroi mirëseardhje për ipeshkvinjtë, meshtarët, motrat, miqtë, bamirësit, donatorët dhe përfaqësuesit e autoritetit civil dhe lokal të komunës së Budvës, duke i falenderuar për praninë dhe bashkëfestimin e Festës Eukaristike. Të pranishme në festë ishin poashtu motra gjenerale M. Petra Rosenberger, ku M. Ollga e falenderoi për mbështetjen dhe kujdesin prej nëne që tregon ndaj Provincës sonë dhe M. Loreta Lekaj, vikare gjenerale për të cilën M. Ollga shprehu mirënjohje të përzemërt për punën dhe lidhjen e mirë që përfaqëson për ne me shtëpinë amë të Kongregatës sonë, duke u shprehur se: do të thotë shumë për ne që jeni, si të thuash, si në Graz ashtu edhe këtu mes nesh . Faleminderit!

Në vazhdim M. Ollga drejtuar gjithë miqve, bamirësve dhe autoriteteve të tjera u shpreh: Përgjigja juaj specifike për të ndihmuar në ndërtimin e kësaj Shtëpie ishte një mbështetje e madhe për ne. Faleminderit për bashkëpunimin dhe mirënjohjen e pranisë dhe shërbimit të motrave tona në Petrovac. Zoti na ndihmoftë që të punojmë së bashku për të mirën e përbashkët dhe mirëqenien e njerëzve tanë, veçanërisht të moshuarve, të pafuqishmëve, të vetmuarve, atyre në periferi të ekzistencës njerëzore. Pra, me zemër mirënjohëse përshëndes të gjithë bamirësit dhe donatorët, të cilët në çdo mënyrë dhanë nga vetja dhe na dhuruan për këtë Shtëpi. Zoti i shpërbleftë me bollëk. Vetë Zoti qoftë shpërblim për të gjithë bamirësit! Bollëk hiri dhe bekime në tokë për të gjallët, dhe gëzimi i Qiellit në përjetësi për të ndjerët! Zoti ju shperbleftë me të mirat e veta!

M. Ollga duke falenderuar të gjithë ata që kontribuan në çfarëdo mënyre për ta bërë këtë festë kaq të bukur dhe dinjitoze bëri edhe një dëshmi për Motrën Pija. Sot, jam e bindur plotësisht se nëna jonë Pija, emrin e së cilës e mban kjo Shtëpi, po na buzëqesh nga qielli. Ajo doli para nesh si shenjë dhe udhërrëfyese, por la pas një gjurmë të thellë që shënonte të gjithë ata që e takonin. Imazhi i saj është gdhendur në të gjithë ata që ranë në kontakt me të: buzëqeshje e butë, fytyrë e ndritshme, zë i qetë, qasje e përvuajtë, hap i shpejtë dhe i vogël, i vendosur në të mirë, i rafinuar në respekt për të tjerët, veçanërisht për meshtarët, e fortë në vetëmohim, këmbëngulëse në lutje… konkrete në dashuri… Dëgjojmë me kënaqësi kur brezat e vjetër të motrave tona flasin me këtë përshkrim të jetës së saj.

Të gjithë të moshuarve dhe banorëve tanë të dashur që janë mes nesh le të gëzohemi së bashku! Me ndihmën e Zotit, ne motrat françeskane do të jemi gjithmonë në krah të njeriut dhe duke respektuar shenjtërinë dhe dinjitetin e jetës njerëzore, që nga fillimi deri në vdekje. Ne jemi të rrethuar nga mentaliteti i ekskluzivitetit, refuzimit, vdekjes… Shoqëria moderne karakterizohet nga antropocentrizmi i tepruar. Logjika mbizotëruese është “përdoreni dhe hidheni tutje” , e cila justifikon çdo formë refuzimi (mbeturinash), qoftë mbetje mjedisore apo vetë njeriu, logjikë e cila i trajton të tjerët dhe natyrën si një objekt të thjeshtë. Është në punë, si thotë shpesh Papa Françesku, globalizimi i indiferencës (LS, 50). Gjegjësisht, jeta e njeriut kërcënohet nga veprimet e vetë njeriut, i cili në lakminë e tij, në emër të një jete cilësore, në vend që ta pranojë atë, refuzon gjithçka që e rrethon, duke përfshirë edhe personin njerëzor, pra shenjtërinë e jetës. Papa Françesku mund të thotë për këtë:Të moshuarit janë bërë disi edhe “material i disponueshëm”, sepse askush nuk ka nevojë për ta”. Prandaj, në Shtëpinë që po hapim sot, do të mbizotërojë kultura e jetës dhe e pranimit, në kundërshtim me kulturën e refuzimit dhe përjashtimit. Qofshim të gjithë të lumtur dhe të bekuar nga Zoti! Me këtë urim, dashamirësi dhe porosi M. Ollga mbylli fjalën përshëndetëse duke falënderuar të gjithë për pjesëmarrje në festë.

Faleminderit!

« of 3 »