Mbrojte në Doktoraturë
Më datën 16 shkurt 2021, në orën 16:00, pas dorëzimit të Tezës me titull: “Kontributi i Stefano De Fiore në Mariologjinë Bashkëkohore. Disa pika kualifikuese”, Motër Dila Shtjefni bëri mbrojtjen e Doktoratit në Teologji në Universitetin Papnor në Laterano me rezultatin “Summa cum Laude”. Për shkak të kufizimeve si pasojë e pandemisë, kjo ngjarje nuk mundi të zhvillohej në prezencë sikurse shumë do të kishin dëshiruar të merrnin pjesë, por në distancë, në mënyrë telematike dhe vetëm m. Dila me komisionin.
Duke e pyetur m. Dila se përse e ka zgjedhur këtë temë, ajo tha: “Motivi i parë që më ka nxitur për këtë studim ka qenë pikërisht njohja e vërtetë e Nënës së Zotit dhe roli i saj në historinë e shëlbimit duke u nisur nga burimet, por edhe për të qartësuar disa ide rreth nderimit të Marisë si në liturgji ashtu edhe në devocionin popullor, për të shmangur rrezikun e nderimit të saj me forma të tepruara ose deri në ato supersticioze, por ta nderojmë duke ndjekur mësimin biblik e atë të Magjisterit të Kishës.
Nje motiv tjetër ka qenë edhe përkatësia në Kongregatën e Motrave Françeskane të Zojës së Papërlyer. Kjo përkatësi na nxit të mësojmë e të imitojmë virtytet dhe besimin e Marisë për të jetuar në mënyrë më të sigurtë fenë dhe thirrjen në jetën e kushtuar, ta njohim mënyrën si e ka jetuar ajo besimin në Hyjin dhe si e ka aktualizuar në mënyrë të përsosur atë për çfarë Hyji e ka thirrur. Duke i mësuar të gjitha këto, është e mundur ta forcojmë besimin personal dhe të vazhdojmë rrugën drejt shenjtërisë që është një angazhim konkret”.
Pastaj m. Dila, e kënaqur që mundi ta mbull me sukses këtë studim disa vjeçar, shtoi: “Pas gjithë kësaj nuk më mbetet tjetër përveç se të falënderoj pa masë Hyjin për të gjitha hiret e bekimet e dhuruara nëpërmjet këtij studimi e thellimi të misterit të Tij të zbuluar në Personin e Jezu Krishtit i cili ka ardhur ne botë duke marrë mishin nga Maria, Nëna e tij. Një falënderim të përzemërt edhe motrës Lidia Kqira, Eprore Provinciale me Këshillin e saj, që më dha mundësinë të thelloj intelektualisht dhe shpirtërisht besimin dhe thirrjen time nëpërmjet edhe këtij studimi. Le të jetë gjithçka për më të madhen lavdi të Hyjit dhe në dobi të Kishës së shenjtë!
Bashkohemi në gëzimin e motër Dilës dhe e përgëzojmë atë që pas disa viteve pune dhe sakrifice arriti të përmbyllë me sukses një studim të mundimshëm, por njëkohësisht edhe të kënaqshëm në hulumtimin e misterit të Hyjit që na u dhurua nëpërmjet Virgjërës Mari.
Zoja e bekuar le ta shoqërojë edhe më tej m. Dila që së pari ta rezatojë në jetën e vet për shëlbimin e saj atë që ka përvetësuar e pastaj të mund ta bashkëndajë edhe me motrat e vëllezërit që janë në kërkim të dijes, në ndjekje të së Vërtetës.
CONGRATULATIONS Sr. Dila!