Friday, November 22, 2024
Aktivitete

“Të lavdëroj, o Zot, pse më krijove kaq mrekullisht” (Ps 139)

Ishte kjo tema e zgjedhur, e cila u trajtua nga Don Jetmir Nikolli për këtë kapitull të dyerve të hapura që u mbajt si zakonisht, të shtunën gjatë tetëditëshit të Pashkëve, në Lezhë.

Si një person i formuar në shkencat: mjekësi, psikologji dhe teologji, Don Jetmiri e mbajti këtë takim të bazuar në këtë rresht të psalmit 139.

E filloi këtë takim nga modeli antropologjik dualist, një këndvështrim mbi njeriun që e sheh atë të ndarë në dy pjesë, trup dhe shpirt, model që e ka fillesën e vet në filozofinë greke dhe gjen si përfaqësues të vet Platonin. Ky vizion antropologjik ka influencuar njerëzimin dhe mënyrën si ky, njerëzimi, e interpreton ekzistencën personale. Në shekullin e dytë gjejmë të zhvilluar një lëvizje filozofike-fetare që quhej Gnosticizmi. Edhe pse me elemente të krishterimit brenda, Gnosticizmi shpallte shpesh politeizmin. Këta, sipas filozofisë platonike, e konsideronin trupin si burg nga i cili duhet të lirohemi.

Influencat platonike futen edhe në teologjinë e Krishterë ku ndër shekuj fillon një nënvlerësim i trupit i cili shihet si rrënja e çdo tundimi. Shën Augustini influencohet shumë nga filozofia platonike por, duke qenë se ishte filozof dhe teolog i jashtëzakonshëm, nuk bie kurrë në tundimin reduktues të antropologjisë dualiste.

Gjatë këtij takimi Don Jetmiri, ritheksoi shpesh se modeli i vetëm i vërtet i çdo njeriu është Jezu Krishti: “Ja njeriu” i cili është trup, psikë e shpirt dhe me Mishërimin e Tij i bën të mundur çdo njeriu që të bëhet si Ai sepse jemi krijuar në Shëmbëllesën e Hyjit.

«Krishti, pikërisht se na zbulon misterin e Atit dhe të dashurisë së tij, i zbulon plotësisht njeriun njeriut dhe e bën të kuptojë thirrje e tij të tejet lartë» (KKK 1701)

Besoj, u shpreh Don Jetmiri, se përkufizimin më të bukur antropologjik e gjejmë tek 1 Sel 5, 23 «Hyji, burimi i paqes, Ai ju shenjtëroftë plotësisht, dhe e tërë qenia juaj – shpirti, jeta dhe trupi  – u ruajtë e patëmetë dhe e përsosur për Ardhjen e Zotit tonë Jezu Krishtit.

Pra ne nuk jemi të ndarë dhe nëse trajtojmë mirë një pjesë të njeriut jemi duke trajtuar të gjithë personin e tij, shtoi ai duke u bazuar edhe në shumë citate të shenjtërve apo studiuesve të mëdhenj.

«As trupi e as shpirti, të ndarë, nuk përjetojnë dashurinë: njeriu, personi, që do në mënyrë të pandarë, i përbërë nga trupi dhe shpirti, ai do. Vetëm kur shpirti dhe trupi shkrihen në një bashkim të vërtetë, njeriu bëhet plotësisht vetvetja» (Benedetto XVI, Deus caritas est, 5)

 «Krishterimi nuk përkujdeset për shpirtin por, për njeriun. […] Krishterimi nuk është sistem metafizik por vet dëshmi e Hyjit të gjallë; shpallje se ai ka bërë të vetin realitetin tokësor për ta udhëhequr drejt një ekzistencë të re në të cilën asgjë nuk hidhet përkundrazi, gjithçka vishet me domethënien më të thellë. […] Krishterimi nuk përkujdeset për idenë apo esencën por, për njeriun konkret, përgjegjësinë dhe dinjitetin e tij, veprimet dhe të ardhmen e tij, me një fjalë: historinë e tij. E gjithë kjo është e lidhur në mënyrë të pandashme me trupin. Ngjallja e trupit ruan karakterin personal dhe historik të njeriut» (R. Guardini, Le cose ultime. La dottrina cristiana sulla morte, la purificazione dopo la morte, la risurrezione, il giudizio, e l’eternità, 63)

Duke na përkujtuar se këtë vit përkujtohet 800 vjetori i Stigmave të shën Françeskut, shprehu se stigmat janë dëshmia se trupi ynë, nëse bashkohet me Trupin e Krishtit (në nivel Eukaristik dhe Eklezial) është vendi i shenjtërimit dhe i shenjtërisë. Stigmat janë shenjë e bashkimit me Krishtin.

Nga këtu Don Jetmiri ka dhënë disa stimuj për reflektim në lidhje me:

  • Stigmat/plagët fizike;
  • Stigmat/plagët psikologjike;
  • Stigmat/plagët shpirtërore.

Pra ne jemi një qenie e pandarë dhe secili nga ne ka plagët e veta, por këto plagë të njohura dhe  të trajtuara në mënyrë të shëndetshmë duke i parë në dritën e Krishtit bëhen plagë të lavdishme të Krishtit të Ngjallur.

Ky takim kulmoi me Meshën e Shenjtë, të kremtuar tek Kisha Zoja Nunciatë ku, së bashku ishim edhe më të vetëdijshëm e më të bindur që të falënderojmë Zotin, që na ka krijuar kaq mrekullisht.