Sunday, May 19, 2024
Aktivitete

Fillimi i vitit të ri shkollor - Prizren

Me datën 29.08.2016, Shkolla Fillore “Loyola” në  Prizren, hapi dyert për fillimin e Vitit të Ri shkollor 2016-2017.

Kjo ndërtesë që dikur ishte për nxënës gjimnazistë,  tani u shndërrua në një ambient të këndshëm për fëmijët e shkollës fillore.

Vetëm tani shihet krejt qartë  se sa shumë e ka pasur të nevojshme Shkolla Fillore një ambient të veçantë siç është tani shkolla e re.

Me rritjen e numrit të fëmijëve është rritur edhe numri i personelit gjë që e bën edhe më të pasur shkollën.

Uroj që kjo shkollë të jetë e suksesshme dhe bekimi i Zotit të përcillet në secilin person që merr kontakte me këtë shkollë.

Konvikti në fillim të Vitit të Ri shkollor 2016-2017

Nuk është vetëm një fillimviti shkollor, por është edhe hapja e një etape të re, e cila sjell gjithandej gjëra të reja, njerëz të rinj posaçërisht në konviktin e “Loyolës”.

Ngjarjet e papritura dhe organizimet e shumta janë një ndihmesë e konviktorëve për të përballuar konviktin si një kapitull të jetës.

Shumë i veçantë është ky fillimviti shkollor  sepse filloi me simbolin e dashurisë dhe dinjitetit, me shenjtëreshën “Nënë Tereza”.

Të dielën, më 04.09 –Ditën e shenjtërimit të Nënë Terezës , u kremtua Mesha e shenjtë me nxënësit e Loyolës. Gjatë predikimit P.Shtjefen Dodes theksoi shembullin e Nënë Terezes, e cila duhet të jetë model për të gjithë ne.

Në fund të  Meshës të gjithë nxënësit e pranishëm  morën bekimin përmes duarve të shtrira të meshtarit mbi kokën e secilit, për një vit sa më të begatshëm shkollor.

Në nder të shenjtërimit të Nënë Terezës konviktorët kishin përgatitur një program në të cilin përfshihej jeta e Nënë Terezës (këngë, recitime etj.). Të gjithë ishin të magjepsur nga zemërgjerësia e saj. Në errësirë vështronin portretin e saj, i cili dukej se po ndriçonte errësirën dhe shpërndante dashuri për të gjithë.