Sunday, May 12, 2024
Aktivitete

Takimet e formimit të junioreve

Eksperienca e takimeve formative për juniore është gjithmonë një rritje dhe thellim në jetën me Zotin por edhe një bashkëndarje e përvojave me njëra – tjetrën. Edhe këtë vit kemi filluar takimet e formimit me motrat juniore në Shqipëri. Takimin e parë e kemi zhvilluar fundjavën që shkoi, në Vaqarr – Tiranë, ku fillimisht kemi pasur mundësinë e një bashkëndarjeje atërore me arqipeshkëvin e Tiranë – Durrësit, Imzot George Frendo O.P..

Ai shprehu rëndësinë e jetës së kushtuar duke e aktualizuar atë në shoqërinë tonë shqiptare. Gjithashtu na nxiti në dëshminë dhe autencitetin e jetës sonë, në njohjen e shenjave të kohës, në kurajo dhe shpresë.

Takimin e kemi vazhduar me Fra Flavio Cavallini, OFM me temë: “Fjala jote është dritë për këmbët e mia” (Ps 118 [119]) – Lectio Divina – Lexim Hyjnor.

Ai u shpreh se Lectio Divina është një ballafaqim personal me Fjalën e Zotit dhe praktikohet në katër shkallë:

  1. Leximi – është lënda për meditim;
  2. Meditimi – është momenti i seleksionimit të tekstit të lexuar;
  3. Lutja – pa vullnet nuk ka lutje;
  4. Soditja – është drita që vjen nga Shpriti i Shenjtë.

Përveç shtjellimit të Lectio Divina- s, kemi bërë edhe ushtrimin e saj duke qenë të orientuara/drejtuara vazhdimisht nga Fra Flavio.

Ecjen tonë në këto takime formimi e vazhdojmë gjatë gjithë vitit, e për këtë e falenderojmë Zotin që vazhdimisht pasurohemi me eksperienca të tilla.