USHTRIMET SHPIRTËRORE NË SHKODËR DHE 25 VJETORI I KUSHTIMIT TË MOTRAVE
Në Shkodër, më 30. 08-06. 09. u mbajtën ushtrimet shpirtërore, të cilat i udhëhoqi prof. dr. sc. Ivica Raguž, meshtar i ipeshkvisë së Đakovo-s. Ai gjatë ligjeratave bazuar në fjalën e Zotit u përqendrua në mënyrë të veçantë tek figurat e ndritura Moisiu, Shauli dhe Davidi, përmes të cilëve i udhezoi motrat në meditim mbi jetën në relacion me Hyjin, me të tjerët dhe me vetveten. Në shpirtin e fesë u shoqëruam me këta miq, sikur theksonte shpesh don Ivica.
Në përfundim të ushtrimeve shpirtnore, pra më 06. 09. shënuam 25 vjetorin e kushtimit të motrave: Luljana Marku, Gjyste Gjonlleshaj, Anita Prenkaj, Tereza Pepiq dhe Ollga Dulaj. Meshën solemne me këtë rast e drejtoi don Ivica Raguž i cili edhe e mbajti homelinë e rastit. Bashkëmeshuan edhe meshtarë tjerë, të cilët kishin ardhur për t´i uruar motrat për këtë jubile të argjendtë të kushtimit: p. Pashko Gojçaj, don Janez Mirtek, p. Anton Nua, p. Ndue Kajtazi dhe p. Aleksander Tanushi.
Përveç motrave që kishin pasur ushtrimet shpirtërore, për këtë rast kishin ardhur edhe motrat nga bashkësitë tjera. Pas Meshës, për të gjithë të pranishmit u shtrua drekë e përbashkët. Me këtë rast, eprorja provinciale m. Lidija Kqira i përshendeti të gjithë dhe u uroi mirëseardhje. Ajo në fjalën e saj falënderoi Hyjin, para se gjithash, për këto motra – dhuratë Kishës dhe bashkësisë. Gjithashtu falënderoi prindët si bashkëpunëtorë të Hyjit të cilët e kanë pranuar dhe e kanë dhuruar jetën e tyre, si dhe të gjithë ata që në një ose mënyrë tjeter i kanë përcjellur keto motra gjatë udhëtimit të tyre në jetën rregulltare. M. Lidia uroi motrat dhe i falenderoi ato për përgjigjen ndaj thirrjes së Jezusit për ta ndjekur me jetë rregulltare, për qëndresën dhe shërbimin e tyre duke i ftuar te gjithë që t´i përcjellin me lutje, e të gjithë ta jetojmë denjësisht thirrjen që na është besuar dhe ta dëshmojmë dashurinë tone Hyjit të cilën ia kemi premtuar me kushtimin tonë rregulltar.