Friday, November 22, 2024
Aktivitete

Të edukosh një vajzë do të thotë të edukosh një familje! (Nëna Franciska Antonia Lampel)

Data 16 Shtator shënoi një ditë të veçantë në të gjithë Shqipërinë, po ashtu për ne ishte një ditë e veçantë ‘’Dita e parë e shkollës’’. Kjo datë e fillimit të shkollës u përputh shumë mirë me festën e fshatit tonë ‘’Shën Eufemia’’, ditë feste për shkollën dhe fshatin. Një ditë e bukur për ta filluar këtë vit shkollor me  Meshën e Shenjtë dhe bekimin e Tij nga Shenjtërorja e  fshatit. Pas kësaj date, ngjarje shumë të rëndësishme të njëpasnjëshme ndodhën në shkollën tonë. Një ndër më të rëndësishmet ishte edhe vizita e miqve tanë zvicerian Andreas Kieninger, Stefano dhe m. Lidia Kqira (eprore provinciale), që vazhdimisht kujdesen për të na ndihmuar në edukimin e fëmijëve duke na ofruar ndihmë financiare nga ana e tyre.

Një fjalë e urtë afrikane thotë: “Për të edukuar një fëmijë duhet të angazhohet i gjithë fshati”. Ndërsa fjala  Edukim vjen nga latinishtja ‘’Educare’’  që do të thotë të nxjerrësh jashtë atë që është brenda.

Po përse është kaq i rëndësishëm edukimi? Ja disa nga arsyet;

  1. Jezusi tha: – Lërini fëmijët të vijnë tek unë sepse e tyre është mbretëria e Zotit. Me të vertetë ju them nëse nuk ktheheni e bëheni si fëmijë nuk to të hyni në mbretërinë e Zotit. Më i madhi në mbretërinë e Hyjit do të jetë si fëmija.
  2. Të shohim çdo njeri si njeri të veçantë. Ne mësojmë nga fëmijët që ti shohim të tjerët si të veçantë dhe të papërsëritshëm nga sytë e tyre të bukur dhe nga pastërtia e syve të tyre. Ne të rriturit për shkak të shumë gjërave që bëjmë në të përditshmen nuk e shohim më realitetin të pastër ashtu si e shohin fëmijët.
  3. Për të qenë të lumtur. Fëmijët janë ekspert në të mësuarit se si duhet të jemi të lumtur. Ata janë specialistë për të harruar gjërat e këqija nëpërmjet pastërtisë shpirtërore. Ata janë të lumtur pothuajse gjatë tërë vitit. Ne jemi aty për të ruajtur këtë bukuri që Zoti ka vendosur thellë në zemrat e tyre.
  4. T’i duam të tjerët pa pritur të njëjtën gjë. Ata na mësojnë ne që  t’i  duam të tjerët pa pritur që të duhemi nga ata. Fëmijët janë si Dielli i cili rrezaton për ne pa pritur të njëjtën gjë në kthim. Vetëm ofrojnë vetveten tek ne dhe kur kjo ndodh ne të gjithë jemi të kënaqur.
  5. Na mësojnë si të falim. Fëmijët hidhërohen por pas një minuti harrojnë gjithçka. Falin dhe harrojnë shumë lehtë. Falja është përgjigjja që na japin fëmijët në ëndrra të mrekullueshme nga e cila kuptojnë se nga kjo thyerje ndërtohet e tëra përsëri. Çka është e papastër është bërë e pastër përsëri.
  6. Ne mësojmë nga fëmijët të mos humbim guximin e të kemi ëndrra të mëdha. Ata na mësojnë se nuk duhët t’i vëmë kufi vetes sonë. Shumë vetë e kufizojnë vetveten në ëndrrat e tyre. Fëmijët shkojnë kaq larg me ëndrrat e tyre, aq sa mund të mendojnë: – Ç’ka ti beson, do të arrish në jetë.
  7. Mos të shqetësohemi për të nesërmen. Fëmijët janë mësues të mëdhenj në të mësuarit se si duhet të jetojmë sot, pa qenë të shqetësuar për të ardhmen. Pse të shqetësohemi për të nesërmen kur e nesërmja nuk është në duart tona? Ata jetojnë momentin.

Le të qëndrojmë pranë tyre dhe në vend që ti mësojmë ata, të mësojmë nga ata që janë e ardhmja e vendit tonë. Po e përfundoj me një lutje: Të falenderojmë o Zot për mundësinë që na ke dhuruar  duke na besuar këto krijesa kaq të bukura dhe kaq të brishta, na jep Hirin që ti ruajmë të pastër dhe të denjë për të të lavdëruar ty me jetën e tyre. Amen!