Saturday, May 18, 2024
Aktivitete

Sfidat gjatë periudhës së pandemisë COVID-19 në Velezhë -Prizren.

Pranvera e këtij viti nuk ishte ashtu si herave të tjera, ajo ishte e pazakontë.Situata e papritur e pandemisë COVID- 19 ndryshoi çdo gjë.

Këtë vit nuk u shijuan bukuritë dhe gjallëria e pranverës, si vitet e tjera. Në këtë stinë kur do të duhej të vraponim për të dalur nga shtëpitë dhe për të soditur natyrën, ndryshimet që sjell pranvera, mu tani, u kufizuan lëvizjet e qarkullimit të cilat detyruan qytetarët të qëndrojnë në shtëpitë e tyre. Atmosferë e rëndë me ankthe, dyshime dhe frikëra se çfarë… çfarë më tej? Përveç ngarkesave që po kalonim me situatën e rënduar, me informacione nga më të ndryshmet, kjo periudhë na çoi edhe drejt sfidave të ndryshme.

Me ndërprerjen e proçesit mësimor nëpër objektet shkollore, shkolla jonë “Loyola”, menjëherë vendosi që mësimi të vazhdon në mënyra të ndryshme të mundshme, përmes rrjeteve sociale.Për një kohë të shkurtër vazhduam kështu dhe pastaj për tre muaj me radhë mësimi virtual u zhvillua përmes platformës Zoom, i cili u realizua me  shumë sukses.

Vërtet u sfiduam por sfidat  ishin të pranishme çdo ditë. Nuk ishte e lehtë për fëmijët të qëndronin para kompjuterit me orë të tëra dhe as për ne mësuesit të motivonim nxënësit në distancë, të jepnim mësimin, të korrigjonim detyrat…etj. Përpjekjet për një mësim sa më kreativ ishin të mëdha por kërkohej shumë kohë, durim, vullnet etj . Gjithsesi me bashkëpunimin e prindërve dhe me përkushtimin tonë pa u kursyer, viti shkollor 2019/20 u mbyll me sukses. Dëshiroj ta nënvizojë që mbyllja e këtij viti shkollor solli edhe diçka që e prisnim ,përshëndetjen me klasat e pesta. Është kjo gjenerata  që e mësova dhe edukova për pesë vite me radhë.

Poashtu një sfidë që u përjetua me dhimbje shpirtërore ishte edhe kremtimi i meshëve pa popull, apo siç vlente edhe për ne motrat në Velezhë (në mungesë të famullitarit), mesha online.Dëshira dhe etja e madhe për takim me Jezusin në Eukaristi, vinte e shtohej çdo ditë, tek ne dhe besimtarët poashtu. Kjo vërehej kur besimtarët me shumë kënaqësi na bashkangjiteshin çdo ditë në lutjen e adhurimit të cilën e bënim çdo ditë në kishë.

Sa më shumë që afrohej java e shenjtë (Pashkët) njerëzit ndjenin nevojën për të ardhur në kishë, për t’u lutur,për të adhuruar, ashtu që ata  sfidoheshin duke lënë mënjanë frikërat nga corona virus dhe duke marrë pjesë në rite kishtare. Festat vinin njëra pas tjetrës ashtu bukur siç Kisha i ka planifikuar dhe ne vazhdonim  të luteshim së bashku.

Më pas vazhduam lutjen e përditshme të muajit maj, pjesmarrja e besimtarëve vinte e shtohej çdo ditë,dhe të  devotshmit e Mbretëreshës së Majit nuk mungonin. Motrat ishin mbështetja e vetme e tyre. Por besimtarët të cilët  i ndjenin motrat si mbështetjen e tyre të vetme shpirtërore kujdeseshin të sillnin ndonjë ushqim. Blinin për vete dhe për ne.Gatuanin dhe shumë shpesh na sillnin gjëra. Zoti i shpërbleftë të gjitha ata që vazhdimisht mendojnë për ne e në veçanti në kohën e pandemisë kur koha ishte e kufizuar për lëvizje.

 Kohë pandemie, heshtjeje por kohë bashkimi, dhurimi dhe kthimi kah Zoti.