Saturday, May 18, 2024
Aktivitete

“Mos lejo që një ditë e keqe t’iu bëjë të ndiheni sikur të kishit një jetë të keqe!”

Një shprehje thotë

“Mos lejo që një ditë e keqe t’iu bëjë të ndiheni sikur të kishit një jetë të keqe!”

Në fakt ky vit kishte shumë ditë që ne nuk kuptuam saktësisht se ҫfarë po ndodhte por ҫdo kohë ka sfidat e veta dhe Zoti nuk lejon kryqe më të rënda sesa ne mund ti mbartim.

Kështu edhe ne, Motrat në Shqipëri, e jetuam këtë kohë pandemie, falë Zotit pa probleme shëndetësore, dhe me angazhime të përshatura sipas kërkesave të kohës.

Në bashkësinë e Lezhës pothuajse nuk ka munguar Mesha e Shenjtë asnjë ditë, dhe kjo ishte forca jonë për tu angazhuar në metodat e reja që na u ofruan.

Mësimdhënia në shkollën tonë ka vazhduar online deri më dt 29 Maj 2020 sipas vendimeve te Ministrisë së Arsimit. Kemi marrë pjesë në trajnime online, duke u hapur ndaj metodave të reja që mund të na kërkohen. Ndërsa në muajin qershor kemi rihapur kopshtin duke ndjekur rregullat e protokollit të shëndetësisë, kemi plotësuar dokumentacionin përkatës në shkollë dhe kemi përfunduar me shpërndarjen e dëftesave të nxënësve. Kopshti vazhon, dhe nëse kushtet na lejojnë, do të vazhdojmë edhe gjatë muajit korrik.

Edhe në Kallmet Motrat kanë patur mundësi për Meshën e Shenjtë ҫdo ditë dhe kanë vijuar me mësimdhënien online.

Në bashkësinë e Shkodrës Motrat nuk kanë patur mundësi cdo ditë për Meshën e Shenjtë për arsye se ky qytet ka qënë më i prekur nga pandemia dhe kufizimet kanë qënë më të mëdha.

Në Hotin e Ri Motrat kanë patur Meshën e Shenjtë ҫdo ditë por kanë mbyllur kopshtin si gjithë vendi.

Në Nunciaturë, gjatë kësaj kohe kanë qënë tre motra sepse m. Hana ka shkuar për një punë dhe ndërkohë gjithcka është mbyllur. Gjatë kësaj kohe motrat kanë mbuluar të gjitha shërbimet atje sepse punëtoret kanë qënë në shtëpi.

Si gjithmonë ҫdo gjë dhe ҫdo situatë ka anët positive dhe anët negative. Vërtet që të gjithe u gjendem para një situate të papritur dhe të pakuptueshme por në këtë kohë izolimi kishim mundësi të reflektojmë thellë mbi egzistencën e qënies tonë. Më shumë kohë për lutje, për lexim, për reflektim për shoshitje….e pse jo për ndryshim.

Një gjë e dimë se asnjë fije floku nuk bie pa lejen e Atit qiellor dhe kjo na jep shpresë. Prandaj edhe shpresojmë e besojmë në Zotin se jemi në fund të kësaj situate dhe se jeta do të vazhdojë si është më mirë për njeriun!