Saturday, May 18, 2024
Aktivitete

Bashkësitë e motrave dhe kongregatat në mbarë botën po i përgjigjen pandemisë Covid -19

Gatishmëria është një fjalë që e përdorim shpesh ne Motrat Françeskane të Zojës së Papërlyer. Është në qendër të misionit tonë – të jemi të gatshme, madje moto e Themelueses tonë është: “Për të qenë të gatshme për çdo gjë që Kisha ka nevojë”, për të shërbyer, duke përcjellur praninë e Jezusit të dhimbshëm dhe shërues. Shërbimi i motrave tona infermiere ka kohë që ka sjellë një prani shëruese për ata që kanë nevojë. Edhe gjatë kësaj kohe pandemie motrat tona po shërbejnë në spitale, azil pleqsh dhe klinika, në vende të ndryshme ku ne jetojmë e veprojmë.

* Në bashkësinë e Cetinjes, falë Zotit, kemi pasur mundësinë e Meshës çdo ditë e për këtë ishte vërtet një hir i veçantë. Motrat që punojnë në spital, kanë vazhduar punën e tyre me shumë përkushtim dhe kujdes të shtuar, poashtu m. Serafina dhe m. Vera Paluca kanë ndërmarrë angazhim për qepjen e maskave, kështu sadopak për të ndihmuar në ndalimin e përhapjes së pandemisë.

* Bashkësia e Dobrotës, motrat e kësaj bashkësie kanë bërë një moment lutjeje shtesë çdo ditë, për largimin e pandemisë, poashtu, motrat që punojnë në spital, kanë vazhduar punën e tyre. Meshën e Shenjtë nuk kanë pasur mundësi ta kenë, por e kanë përcjellur online

* Motrat në Nikshiq, ishin të bashkuara në lutje të përbashkët, kanë ushtruar angazhimet e bashkësisë së bashku, ndërsa Meshën e Shenjtë nuk kanë pasur mundësi ta kenë çdo ditë, por i janë përshtatur mundësisë së famullitarit.

* Në bashkësinë e Petrovacit, motrat kanë vazhduar misionin e shërbimit ndaj të moshuarave në azil duke pasur kujdes të shtuar dhe duke respektuar udhëzimet e Ministrisë së Shëndetësisë. Për Meshën e Shenjtë, motrat i janë përshtatur kushteve të mundshme, duke e përcjellur në TV.

* Motrat në Tivar, Tuz dhe Podgoricë – Konik, kanë ndërpërerë të gjitha aktivitetet pastorale dhe edukative duke respektuar kërkesën e ipeshkëvit të arqipeshkëvisë së tyre. Meshën e Shenjtë kanë pasur mundësi ta kenë çdo ditë.

* Motrat në Podgoricë – Kruševac, kanë vazhduar të punojnë në spital edhe përgjatë pandemisë, dhe t’ju vijnë në ndihmë gjithë pacientëve dhe atyre që kanë kërkuar ndihmën e tyre. Ato kanë pasur mundësinë e Meshës së Shenjtë çdo ditë.

* Motrat në Krško dhe në Zagreb që punojnë si infermiere, disa nga to kanë vazhduar punën e tyre edhe gjatë pandemisë, ndërsa poashtu janë angazhuar më shumë në lutje dhe në jetën e përbashkët motërore.

* Motrat në famullitë e Kosovës, kanë ndëprerë të gjitha aktivitet baritore dhe edukative deri në momentin kur udhëzimet shtetërore dhe kishtare lejuan rihapjen e pjesëmarrjes në Meshë të besimtarëve.  Motrat kanë qenë të gatshme dhe të afërta me njerëzit duke u dëgjuar me të gjithë ata që kishin nevojë, duke u porositur në lutje. m. Lumnije, gjatë gjithë kohës së pandemisë ka vazhduar punën në ambulancë për t’ju dalë në ndihmë gjithë atyre që e kërkonin dhe vinin. m. Aferdita poashtu ka vazhduar mësimin online me fëmijët, kërkesë kjo e Ministrisë së Arsimit, kështu duke iu ofruar mundësinë nxënësve për arsimim dhe edukim edhe në këtë kohë vetëizolimi.

 

* Motrat në Gjakovë, kanë ndëprerë kopshtin, por kanë qenë vazhdimisht të lidhura me prindërit e fëmijëve duke ofruar  kujdesin dhe afrimitetin për ta. Gjatë kësaj kohe ato kanë ndërmarrë aktivitete restaurimi, dekorimi dhe dizajnimi të kopshtit dhe të këndit të lojërave në oborr.

    * Motrat në misione (Detroit, Aarau, Sttutgart, Köln, Colombella) gjithashtu kanë ndërprerë të gjitha aktivitetet e tyre pastorale dhe edukative sipas udhëzimeve të vendeve ku ato shërbejnë, kështu duke u bashkuar me të gjitha ne në lutje më të thellë.

Kështu, motrat në të gjithë Provincën kanë shtuar kohën e adhurimit (lutjes), personalisht dhe në bashkësi e edhe ato nëpër famulli. Ne kemi pasur më shumë kohë për njëra-tjetrën, më shumë kohë për rritjen tonë shpirtërore.

Nismës së bukur të Radio Marisë Shqiptare për lutjen e Rruzares së shenjtë, sipas kërkesës së Papa Françeskut që të lutemi për largimin e pandemisë Covid – 19, për çdo mbrëmje nga Nunci apostolik në Shqipëri, Mons. Jarles John Brown dhe ipeshkvinjtë nga Shqipëria, arqipeshkëvi i Tivarit, mons Rrok Gjonlleshaj dhe ipeshkëvi i Kosovës mons. Dodë Gjergji, i jemi bashkuar edhe shumë motra tona nga bashkësi e famulli të ndryshme. Ishte një mrekulli bashkimi i barinjëve me të gjithë besimtarët kudo në botë, në lutje së bashku.

E falënderojmë Zotin që gjatë kësaj kohe e në vazhdim, po përpiqemi dhe po e përballojmë mirë pandeminë Covid 19, por përgjegjësia jonë kryesore është të lutemi për ata që preken nga ky virus, lutemi që Zoti të na dhurojë të gjithëve guximin dhe mençurinë, në mënyrë që ta kapërcejmë këtë krizë sa më shpejt të jetë e mundur. Lutemi për mjekët dhe infermierët, për shëndetin e tyre të mirë.

Prandaj, të jemi bartës të shpresës për fëmijët tanë, për prindërit e tyre dhe të kemi parasysh se të gjithë jemi të zhytur në këtë situatë. Kjo do të na ndihmojë të shohim ndryshe, në të menduarit për marrëdhëniet tona, në rishikimin e vlerave tona, dhe se si ne të gjithë bëhemi një krijim i ri. Kur pyesim vetën se cili është roli ynë në këtë moment? Besojmë se është të jemi bartës të shpresës.