FESTIME GUSHT 2020
Nga data 16 deri më 23 gusht 2020, në bashkësinë e motrave në Hot të Ri, u mbajt grupi i dytë i Ushtrimeve shpirtërore për motrat e provincës. Në këto ushtrime, ndryshe nga grupi i parë i mbajtur në Shkodër në javën e parë të korrikut, kur kufijtë ishin të mbyllur për shkak të pandemisë, mundi të ishte e pranishme edhe Eprorja provinciale m. Lidia Kqira dhe të merrnin pjesë edhe motrat nga Mali i Zi së bashku me ato nga Kosova dhe Shqipëria. Ushtrimet shpirtërore i udhëhoqi meshtari shqiptar, don Pavlin Zefi, sdb, i cili na ndihmoi të thellohemi e të meditojmë mbi thirrjen e Marisë, shërbimin, rritjen e saj në fe dhe dorëzimin e plotë vullnetit të Hyjit.
Pranimi në noviciat
Më 22 gusht, në ditën e gjashtë të Ushtrimeve shpirtërore, në një ceremoni private, në Kapelën e kuvendit, m. Lidia pranoi për dy vite në noviciat, postulanten Gabriella Kqira, e cila zgjolli të quhet m. Pia. Në këtë ceremoni, përveç motrave të bashkësisë dhe të ushtrimeve, ishte i pranishëm edhe don Pavlini, udhëheqësi i ushtrimece dhe don Leonardo Falco, atë shpirtëror i motrës Pia. Në fjalën e saj përshëndetëse, m. Lidia, ndër të tjera tha: “Me zemër të gëzuar ia drejtoj falënderimet Hyjit për dhuratën e thirrjes së m. Pia. Novice e dashur, le të udhëheqin në jetën tënde fjalët e shën Palit ʹQë të mos jetosh më për veten tënde, por për Atë i cili vdiq dhe u ringjall për ne‵. Të dëshiroj urtinë e Hyjit që të mos mungojë thjeshtësia, përvujtëria dhe dashuria në jetën tënde. Ruaje thirrjen tënde, ujite me mirësi dhe përkushtim dhe rri zgjuar në momentet kur Hyji troket në zemrën tënde”. M. Lidia pastaj falënderoi edhe m. Marijana e cila e ka udhëheqë Gabriellën në vitet e kandidaturës dhe në postulat. Një falënderim të veçantë ia drejtoi mësueses së mëparshme të noviceve, m. Loretës, tani Zëvendëse gjenerale, e cila e ka kryer këtë detyrë me shumë dashuri e përkushtim. Ajo më së pari e ka dëshmuar me jetën e saj atë çfarë u ka mësuar nviceve, theksoi ajo. Gjithashtu, falënderoi edhe m. Andrea, mësuesen e novices, që e ka pranuar këtë detyrë të një përgjegjësie të lartë. Në përfundim të kësaj ceremonie, motrat e uruan dhe bashkëndanë gëzimin për novicen e re.
Ripërtëritja e kushteve
Ndërsa ditën e dielë, më 23 gusht, po në Kapelën e kuvendit në Hot të Ri, gjatë një Meshe solemne të kremtuar nga Don Pavlini, patëm dy raste të tjera gëzimi. Në duart e Eprores provinciale, m. Lidia, bënë ripërtëritjen e kushteve m. Rita Ranzi dhe m. Bergita Bardhoku. U urojmë motrave kushtimin e tyre të përkohshëm, që ne shembullin e Marisë, të mund t’ia arrijnë Po-së së përhershme në shërbim të Hyjit dhe të njerëzve.
Kremtimi i 25 vjetorit të kushteve rregulltare
Gjatë së njëjtës Meshë solemne, kremtuan 25 vjetorin e kushtimit rregulltar këto gjashtë motra tonat: m. Shpresa, m. Flora, m. Prena, m. Leonita, m. Zoja dhe m. Viktorina.Lidia e filloi përshendetjen e saj me fjalët e shën Françeskut: “Hyji m’i dhuroi vëllezërit” – Hyji na i dhuroi motrat. Të dashura motra që festoni, sot është ditë gëzimi për ju dhe për të gjithë Provincën. Faleminderit për dhurimin tuaj, për shërbimin dhe për gëzimin tuaj. Udhët e Zotit nuk janë të lehta, prandaj ata që i ndjekin, shpesh ndihen të braktisur, të pakuptuar … por në librin e Siracidit e gjejmë mësimin e duhur: “Biro, nëse do t’i shërbesh Hyjit, mos u habit në kohën e vështirësisë…, prano gjithçka të të ndodhë, ki duresë në përvujtërimin tënd” (Sir 2, 2-4). Dëshiroj që zemrat tuaja të jenë të gatshme edhe në të ardhmen, që sikurse Maria, ta pranoni edhe atë që duket e pamundur. Hyji le ta vazhdojë veprën që ka filluar në ju dhe le t’ju shoqërojë në udhëtimin e jetës suaj. Një urim të përzemërt jua dërgon Eprorja gjenerale, m. Petra e cila kishte shumë dëshirë të ishte këtu e pranishme së bashku me m. Loreta, por që u bë e pamundur për shkak të situatës së virusit. Ne ia urojmë motrës Loreta 25 vjetorin e kushtimit të saj e cila do ta festojë së bashku me motrat në Graz, por edhe ne do jemi të lidhura me to shpirtërisht. Të gjithave na shoqëroftë Virgjëra Mari!”. Mbas kremtimit Eukaristik u shtrua dreka e përbashkët ku mbretëroi një harmoni motërore dhe festive me këngë e urime për motrat.
Kushtet e përjetshme
Ditën e hënë, me 24 gusht, në Katedralen e “Shën Nikollës” në Lezhë, në duart e Eprores provinciale m. Lidia Kqira, shpallën kushtet e përjetshme m. Vera Preqi dhe m. Elizabeta Markprekaj. Meshën e Shenjtë e udhëhoqi ipeshkvi i vendit, Imzot Ottavio Vitale në bashkëkremtim me shumë meshtarë të tjerë të ardhur për këtë rast nga Shqipëria e Kosova. Përveç një numri të madh të motrave tona, ishin të pranishme edhe disa motra të kongregatave të tjera, familjarë dhe të ftuar të motrave që u kushtuan si dhe disa besimtarë. Ishte një kremtim vërtetë solemn dhe i mirë përgatitur nga motrat tona të Lezhës në bashkëpunim me administratorin e Katedrales. Ipeshkvi Vitale, pasi përshëndeti Eproren provinciale dhe të pranishmit, në homelinë e tij theksoi: “Ky është një moment gëzimi që prek jo vetëm këto dy motra që po shpallin kushtet, por edhe të gjithëve ne. Në të vërtetë ajo që gëzon është Kisha për dhuratën që Zoti i bëri, por mbi të gjitha është Zoti ai që ngazëllen i cili i zgjodhi këto dy motra në shërbimin e tij. Sot ju angazhoheni se i kushtoheni Zotit përgjithmonë e pa rezerva. Falënderojeni Zotin për këtë dhuratë të jashtëzakonshme dhe tërësisht falas. Maria ju ndihmoftë të jeni nuse besnike të Birit të saj!”. Në përfundim të kremtimit Eukaristik edhe m. Lidia mbajti një fjalë përshëndetëse ku falënderoi Ipeshkvin Vitale për udhëheqjen e Meshës dhe të Ritit të kushtimit, falënderoi meshtarët dhe të gjithë të pranishmit që kishin ardhur për këtë rast. Pastaj i uroi motrat e sapo kushtuara dhe u drejtoi disa fjalë duke u shërbyer me fjalët e shën Klarës: “Në mes të shumë bamirësive që i pranojmë nga Dhuruesi ynë, ta falënderojmë Atin e lavdisë për Po-në e thirrjes sonë. Sa më e madhe të jetë ajo, aq më shumë falënderim meriton. Jini gjithmonë të dashuruarat e Hyjit dhe kujdesuni për atë që i premtuat. Ai qoftë me ju gjithmonë dhe ju qëndrofshi me Të!”. Dhe duke iu drejtuar assamblesë e përfundoi me fjalët: “Le ta bëjmë tonën shrehjen e shën Terezës së Kalkutës ʹtë bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe‵ dhe mos të na mungojë kurrë guximi i martirizimit në të përditshmen tonë, duke shkuar gjurmëve të martirëve shqiptarë”. Mbas kremtimit Eukaristik, vazhduan festimet me darkën e përbashkët për të gjithë të ftuarit. Gëzimi dhe hareja e ketij momenti le t’i shoqërojë gjithmonë motrat në jetën e tyre të kushtuar Zotit!