Monday, May 6, 2024
Aktivitete

Kremtime të kushteve rregulltare – Shkodër, gusht 2022

Në javën e parë të muajit gusht, falënderuam Zotin dhe kremtuam së bashku kushtimin e disa motrave:

m. Pia Kqira, bëri kushtet e para, gjatë kremtimit Eukaristik të udhëhequr nga Don Gino Martucci SDB, në bashkësinë e motrave në Shkodër. Duke e përshëndetur, Eprorja Provinciale m. Ollga Dulaj e uroi: “Motër Pia, Zoti të dhashtë hirin e qëndresës e të besnikërisë në dashurinë e Jezu Krishtit i cili të ka thirrur. Mos e ndaj kurrë shikimin prej Tij”.

m. Rita Ranzi, bëri ripërtëritjen e kushteve, gjatë të njëjtin kremtim Eukaristik. M. Ollga e përshëndeti duke thënë: “E shoqërojmë me lutje në ecjen e saj në ndjekjen e Jezu Krishtit. M. Rita, Zoti qoftë ndihma jote”.

m. Anamarija Mataj bëri kushtet e përjetshme, në një Meshë solemne të kremtuar nga Arqipeshkvi i Shkodrës, Imzot Angelo Massafra OFM, në kishën e shën Françeskut në Shkodër, në bashkëkremtim me disa meshtarë të tjerë. Për këtë rast ishte e pranishme Vikarja Gjenerale m. Loreta Lekaj e deleguar nga m. Petra, si dhe shumë motra të Provincës, familjarë të motrës dhe besimtarë. Në fjalën përshëndetëse m. Ollga ndër të tjera tha: “Me gëzim në zemër përkulemi para Hyjit me falënderje të pamasë për dhuratën e jetës dhe të kushtimit rregulltar të m. Anamarija. Falënderoj prindërit e saj që dhuratën më të shtrenjtë ia dhuruan Krishti dhe bashkësisë së Motrave Françeskane. E dashur m. Anamarija, e lavdërojmë Zotin për jetën që ta ka dhënë dhe ta ka ruajtur e ti sot premtove se i dhurohesh krejtësisht Atij. Të përgëzoj për guximi tënd ungjillor. Ne të mbështesim me lutje dhe me dëshmi gjatë shtegtimit tonë drejt Jeruzalemit qiellor. Zoja e Papërlyer të mborjttë dhe të drejtoftë me dorën amnore të saj”.

25 vjetori i kushteve rregulltare

Bore Marki, m. Hana Kqira, m. Neta Domgjoni, m. Teuta Spaqi,

Vitore Rushaj, m. Hanë Rushaj dhe m. Lirije Nilaj.

Në vijim sjellim përshkrimin e m. Lirije si e përjetoi ajo këtë kremtim.

“M’i hapni dyert e drejtësisë, dua të hyj e t’i thur lavde Zotit!”. Kështu filloi fjala përshëndetëse e eprores provinciale m. Ollga, me rastin e 25 vjetorit të kushtimit tonë Zotit. “Numri 7 në Bibël tregon përsosmërinë, kujtojmë Zbulesën, shtatë kisha, shtatë vula, shtatë yje, shtatë ëngjëj, shtatë dhurata të Shpirtit Shenjt, shtatë sakramente. Kemi hyrë në këtë tempull ta falënderojmë Zotin për qëndresën e tyre”.

Po, kjo ditë është ditë falënderimi e galdimi sepse ne, shtatë motra të Provincës po festojmë jubileun e argjendtë së bashku. Udhëtimi ynë ka qenë i ndryshëm, por i drejtuar kah i njëjti qëllim; shërbimi ynë qe i ndryshëm, por i drejtuar nga i njëjti subjekt, njeriu. Ka patur shpejtimet e hapave dhe ngadalësimet e tyre, por ishte e njëjta pikë referimi, nisja nga Krishti e drejt Krishtit. Kaluam ditë të kthjellta e ditë të mjegullta, ditë me diell e ditë me fortuna, kaluan 25 vjet e sot hapi ynë është ndalur para tempullit, marrim frymë thellë dhe e mbajmë atë për pak momente. Sot është ditë soditjeje për ecjen tonë në rregulltari, por edhe hedhje shikimi mbi vrapimet tona, lëndimet dhe rrëzimet tona. Në çdo rënie shohim të padukshmen dorën tënde, o Zot, madje në disa raste nuk mund ta imagjinonim se na duhej t’i përshkonim ato shtigje. Sot vëzhgojmë me kujdes të kaluarën dhe me shpresë të ardhmen. Reflektojmë mbi dhuratën e jetës, pohojmë edhe një herë plot vetëdije e gëzim kushtimin e jetës në Kishë e në bashkësi. Zoti na e dhuroi jetën e sot ia kthejmë më të begatë, sepse frytet e hirit që na i dha gjatë udhëtimit, i shijuan njerëzit që u shërbyem. Zoti e bekoi nijetin tonë, dhurimin dhe dashurinë tonë. Edhe pse mbajmë akoma në vetvete limitet tona njerëzore, na bëre arsye gëzimi e ngushëllimi në misionin tonë fisnik. U rritëm në fe, besim e vetëbesim. Edhe ne përfituam, u bëmë më “njerëzore”.

Sot është një vendosje e re, hapet një kapitull i ri i jetës sonë. Vështrojmë drejt Jeruzalemit, kryqit, që është rruga dhe drita jonë në këtë udhëtim. Gjithashtu, kthejmë shikimin tonë në shenjë mirënjohjeje ndaj familjeve tona që na edukuan me vlera e me shembull jete, dëshmi e sakrifica në kohë komunizmi e varfërie.

Falënderojmë eproret tona që na shoqëruan; lutjet, këshillat dhe mësimet e tyre, sidomos motrat e para që erdhën në Shqipëri, janë perla të paçmueshme në kujtesën tonë. Provania e Zotit dhe lutjet e tyre qenë nisma për të mbërritur në këtë tokë të martirizuar. Jemi më të vetëdijshme për misionin dhe karizmën tonë, por edhe më të vendosura drejt kërkimit të vërtetës në zemrat tona, historitë tona janë të drejtuara drejt së ardhmes, kërkojmë mbështetjen dhe ndihmën tuaj, të dashura motra, sepse duam të jemi deri në fund të jetës, tempull, bashkësi dhe dashuri.

   Mirënjohje m. Lirije Nilaj