“Në mision, duke qenë sa më afër Hyjit për të qenë sa më pranë njerëzve”
Shkodër, më 29 nëntor dhe Velezhë më 30 nëntor 2019
Udhëhoqi Don Arjan Dodaj CdM, Vikar i Përgjithshëm i Arqidioqezës Tiranë-Durrës
Me datën 29 nëntor 2019, në Bashkësinë e motrave në Shkodër u mbajt Seminari për motrat që shërbejnë në Mal të Zi dhe në Shqipëri, ndërsa të nesërmen, me datë 30 u mbajt në Velezhë për motrat që shërbejnë në Kosovë.
Seminaret i udhëhoqi Don Arjan Dodaj CdM, i cili falënderoi Provinciale që e ka ftuar për të mbajtur këto konferenca. Kohë më parë ishin caktuar këto ditë festive si të përshtatshme duke shfrytëzuar pushimet e festave kombëtare, për të bërë të mundshme pjeswmarrjen e motrave. Por në të vërtetë ato qenë ditë të trishtuara për pasojat që solli tërmeti i rënë tri ditë më parë dhe që situata sa vjen e përkeqësohet. Kishim aq më tepër arsye të gjendeshim së bashku e të luteshim qoftë për njerëzit që vdiqën nën rrënoja, qoftë për të afërmit e tyre e për gjithë kombin që gjendej në zi.
Me këtë ndjesi të dhimbjes, Don Arjani e filloi seminarin duke na ftuar që të lutemi fort me besimin se “lutja ka fuqi të ndërpresë luftërat e të ndalë fenomenet e natyrës”.
Duke folur për misionin ai iu referua fjalëve të Benediktit XV kur thoshte: “Eksperiencën e parë të misionit kemi nevojë ta bëjmë në takim me Zotin që të dimë t’ua çojmë vëllezërve tanë”, ndërsa sot Papa Françesku na fton që të jemi “në gjendje të përhershme misioni”. Për këtë arsye kemi nevojë që ta ngushtojmë gjithnjë e më shumë distancën mes nesh dhe Hyjit. Misionari që vendoset në duart e Hyjit është gjithnjë e më i hapur, i ndjeshëm dhe i përkushtuar ndaj të afërmit. Ungjillëzimi na shtyn të dëshmojmë gëzimin e ungjillit, gëzimin e të qenurit i krishterë – me Krishtin. Për të zhvilluar një mision të mirë duhet të lutemi dhe të agjërojmë. Lutja është e domosdoshme. Jezusi në momentet e mëdha vendimtare, lutej e agjëronte për veprimtarinë e tij të mëpasshme. Kemi nevojë për një jetë të re autentike ndaj Shpirtit të Ungjillit dhe besnike ndaj Kishës dhe thirrjes personale. Vetëm kjo e ripërtërinë fenë dhe aftësinë ungjillëzuese.
Misioni ynë pra është të mbajmë gjallë zjarrin dhe jo të ruajmë hirin, siç thotë edhe Papa Françesku, në mënyrë që të gjitha breznitë e kohës tonë të ndezin, me ndihmën e Shpirtit Shenjt, flakën e asaj Dashurie që ka animuar të parët tanë deri tek dëshmia e martirëve të lumë.
Këto ishin vetëm disa nga citimet e ligjëratës së mbajtur për rreth 90 minuta.
Pas një pushimi të shkurtër, u mbajt në kapelë një orë adhurim të Shenjtërueshmit Sakrament si dhe u lut rruzarja e shenjtë për tragjedinë e shkaktuar nga tërmeti këtyre ditëve.
Menjëherë pas u kremtua Mesha e Shenjtë.