Saturday, May 18, 2024
Aktivitete

Ushtrimet shpirtërore dhe kremtimi në Dobrotë

Më 28. 04. filluan ushtrimet e para shpirtërore të këtij viti në shtëpinë tonë, drejtues i të cilave ishte atë Pejo Janjiq – karmelitan i cili shërben (mësues i novicëve) në Graz të Austrisë. Morën pjesë 32 motra. Për shkak të ambientit, disa motra kanë fjetur në shtëpinë tonë në Ljutë. Një ditë më parë, arritën 4 motra nga Zagrebi dhe 4 nga Krshko (Slloveni).

Tema e ushtrimeve shpirtërore ishte: Ndjekja e Krishtit – Dritës së botës. Kemi medituar mbi misteret e jetës së Krishtit dhe mbi figurat më domethënëse biblike të cilat i kemi shembull dhe ndihmë në ndjekjen e Krishitit të pastër, të dëgjueshëm dhe të varfër në dritën e jetës tokësore të Jezusit dhe shpalljes së Mbretërisë së Hyjit e poashtu edhe të figurave biblike si janë: Maria, Abrahami, Moisiu, Elia, gratë në ungjillin sipase Lukës, Gjoni apostull, kontemplues i dashurisë). Atë Pejo gjatë ushtrimeve shpirtërore na ftoi të shqyrtojmë dhe rrëmojmë zgjedhjen tonë, vendimet tona, qëndrimet tona dhe ato t′i njësojmë me vullnetin e Hyjit.

Qëllimi i ushtrimeve shpirtërore, si gjithmonë, është të ngritemi në Malin Tabor, të qëndrojmë në shoqëri me Shëlbuesin, që lejojmë të na ndriçojë, të na shndërrojë Ai vet, e të zbresim në të përditëshmen tonë, të përforcuara me dritën e Tij, me Shpirtin e Tij.

Ushtrimet shpirtërore përfunduan më 05. 05. me lutjen e mëngjesit dhe përtërirjen e kushteve. Meqë ishte e dielë, Eukaristia u kremtua në kishën famullitare të shën Eustahisë, në orën 10.00 dhe me kremtimin solemn të 50-vjetorit të kushteve rregulltare të motrave tona: m. Elizabeta Ramaj, m. Tihomira Kustura dhe m. Karmelina Penic.

Kremtimin eukaristik e udhëhoqi mons. Ilia Janjic në bashkëmeshim me famullitarin tonë don Pavao dhe drejtuesin e ushtrimeve shpirtërore atë Pejo Janjic. Këndoi kori i motrave tona.  Për këtë rast kishin ardhur një numër i bukur i familjarëve të motrave që kremtonin. Ipeshkvi, në predikimin e tij bashkë me urimet theksoi rëndësinë e hireve që motrat gjatë këtyre 50 viteve të kaluara kishin pranuar.

Pas predikimit, motrat që kremtonin thanë së bashku formulen e kushteve dhe pranuan unazën e arit nga provincialja, m. Lidie Kqira.

Pas Meshës, kremtimi vazhdoi me drekën e përbashkët në kuvendin tonë, ku ishim së bashku rreth 80 veta, në mesin e të cilëve: ipeshkvi ynë, mons. Janjic, atë Pejo Janjic, shumë meshtarë të dioçezës tonë, familjarët e motrave që po kremtonin, motrat që kishin pasur ushtrimet shpirtërore dhe shumë nga bashkësitë tjera.

Jemi të falënderueshme ndaj Hyjit, para së gjithash, për këtë ditë. Ky gëzim nuk ishte vetëm për motrat që kremtuan 50 vjetorin e kushteve, por për të gjithë ne, për tërë bashkësinë, për Provincën, për Kishën ndër ne. Këtë na e theksoi edhe ipeshkvi, Ilija me rastin e urimit që iu bëri motrave që kremtonin.

Në fund, fjalën e vet ua drejtoi edhe motra provinciale, m. Lidia e cila iu uroi, e falënderoi Hyun për jetën e tyre, për qëndresën e tyre dhe kontributin që e kanë dhënë për të mirën e bashkësisë, në vendet ku provania Hyjnore i ka dërguar. Kurse ne të gjithë – vazhdoi ajo- iu bashkangjitemi  urimeve dhe iu dëshirojmë shëndet të mirë, që të mund edhe shumë kohë të bëjnë të mira sa është në mundësinë e tyre,  me lutje për Kishën dhe Provincën.